Turpërohet Serie A: VAR-i fal De Ligtin e Ronaldon, Juventus merr tri pikë në derbin lokal kundër Torinos

Juventus ka marrë një tjetër fitore ‘të dyshimtë’ në kuadër të Serie A, këtë herë duke mposhtur Torinon.

Sport

02/11/2019 22:42

Derbi i qytetit të Torinos ‘Derby della Mole’ i takoi skuadrës së Juventus, e cila triumfoi me rezultatin minimal 0:1, shkruan lajmi.net.

Golin vendimtarë të këtij takimi e realizoi qendër mbrojtësi holandez, Matthijs De Ligt, i cili shënoi me kokë, kur luhej e 70-ta minutë e takimit.

De Ligt lehtë mund të ishte fytyrë tragjike në këtë takim, pasi luajti me dorë në zonën e penalltisë, por gjyqtari dhe VAR-i vendosën çuditërisht ta falin atë.

VAR-i ishte pasiv edhe në një tjetër moment, kur Cristiano Ronaldo goditi një lojtar të Torinos me bërryl, aq lehtë sa rasti nuk u rishikua fare.

Torino arriti të gjente rrugën e golit në minutën e 93′, por VAR-i, kësaj radhe me të drejtë anuloi golin, pasi ishte pozitë jashtë loje.

Me këtë fitore, Juventus kthehet përsëri në pozitën e parë në tabelë, me 29 pikë të grumbulluara pas 11 ndeshjeve.

Torino mban pozitën e 13-të, me 11 pikë të arkëtuara. /Lajmi.net/