Turizmi, shpresa e re për ekonominë e Kosovës – kërkohet promovim më i madh në tregjet ndërkombëtare

Turizmi mund të shndërrohet në një prej sektorëve kryesorë të ekonomisë së Kosovës, madje edhe në “shpresën e vetme” për një zhvillim më të shpejtë ekonomik të vendit. Kështu vlerëson Rrahim Ternava, themeluesi i “Traveks”, agjenci që promovon turizmin ndërkombëtar në Kosovë. Në një intervistë për KosovaPress, Ternava ka thënë se Kosova ka potencial të…

Lajme

06/09/2026 14:07

Turizmi mund të shndërrohet në një prej sektorëve kryesorë të ekonomisë së Kosovës, madje edhe në “shpresën e vetme” për një zhvillim më të shpejtë ekonomik të vendit. Kështu vlerëson Rrahim Ternava, themeluesi i “Traveks”, agjenci që promovon turizmin ndërkombëtar në Kosovë.

Në një intervistë për KosovaPress, Ternava ka thënë se Kosova ka potencial të madh turistik, por i mungon një promovim i organizuar dhe institucional jashtë vendit.

Sipas tij, shteti duhet të krijojë agjenci dhe departamente profesionale që do të merren në mënyrë të vazhdueshme me promovimin e turizmit kosovar në panairet dhe tregjet ndërkombëtare.

“Kosova duhet me u prezantu nga shteti. Se një turoperator ose një person është shumë e vështirë me e promovu Kosovën jashtë i vetëm. Kosova duhet t’i ketë institucionet e veta të cilat marrin përgjegjësi institucionale dhe të ketë agjencione, departamente më shumë që e promovojnë nëpër botë, nëpër panairet e mëdha. Për shembull, nëse i marrim shtetet përreth, në Shqipëri kemi tri agjencione të cilat janë me qindra njerëz të punësuar, që paguhen çdo muaj, për me promovu turizmin jashtë. Të tri agjencionet janë themeluar prej qeverisë. Edhe të triat bëjnë promovimin pandërprerë për bukuritë natyrore. Ata janë shtylla kryesore për me promovu shtetin. Kështu që në Kosovë mungojnë këto, agjencione të tilla mungojnë fatkeqësisht”, thekson Ternava.

Duke folur për trendin e vizitorëve, Ternava ka thënë se turizmi në Kosovë ka shënuar rritje dhe se, bazuar në të dhënat që ka parë, viti 2026 mund të jetë edhe më i mirë.

“2024-2025 diku është 9.63, më duket rreth 10 për qind diku është rritja e turizmit. Këtë vit është shumë më shumë, ende s’është përfundu viti, por po besoj që është shumë më mirë se në vitin 2025. Unë 2025-24 nuk i kam marrë, por çfarë kam parë nga Agjencioni i Statistikave. Por në 2026-ën, nga janari jemi fokusu këtu dhe po, po shihet që është një rritje shumë. Turisti kërkon një mikpritje të ngrohtë. Atë veç e kemi. Është një përparësi jashtëzakonisht e mirë që në Kosovë respektohen shumë turistat. Këtë duhet me vazhdu me e mbajt, ka raste specifike shumë të vogla, por në shumicën e rasteve turistat dalin të kënaqur me mikpritjen, se me gjuhën angleze që i flasin, menjëherë ua kthejnë në anglisht edhe i ndihmojnë për çfarëdo që të kenë nevojë”, thekson Ternava.

Në anën tjetër, krahas potencialit dhe rritjes së numrit të turistëve, Ternava ka treguar se sektori përballet edhe me sfida të ndryshme, përfshirë raste kur mungesa e koordinimit institucional rrezikon edhe organizimin e vizitave turistike.

“Një sfidë ka qenë, diku para 10 viteve kemi pasur një grup të vogël njerëzish prej Hong Kongut që kanë vizituar Kosovën. Edhe kanë dalë shumë të kënaqur. Edhe kur janë kthy në Hong Kong, kanë shkruar dhe kanë thënë që të kemi siguruar një grup tani prej 20 vetash, i cili grup merret vetëm me vizitë nëpër vendet e botës, merr pjesë nëpër maratona, nëpër vrapime… Edhe kemi organizuar maratonën me mbajt në të njëjtën datë. Biletat janë nxjerrë prej turistëve, gjithçka është siguruar, hotelet, një pjesë e madhe është paguar, rezervimi nëpër Ballkan. Po një muaj më herët ndryshon data e maratonës. Dikur edhe maratona anulohet, nuk mbahet hiç. Për arsye të ndryshme në komunën e Gjakovës… Çka kemi bërë, u dasht me marrë një ndër organizatorët që ka qenë një vit më herët, Mimoza Kursari në atë kohë, edhe me ia tregu rastin qysh është, që është një grup prej 20 vetash që është përgatit turi, gjithçka është paguar, dhe na ka ndihmuar, edhe maratonën e kemi mbajtur me vetëfinancim e vetëorganizim, gjithçka. Edhe turistat janë ndarë të kënaqur që nuk e kemi ndryshuar datën”, nënvizon Ternava.

Ternava thotë se një turist që qëndron në Kosovë mund të shpenzojë mesatarisht rreth 100 euro në ditë, ndërsa turistët që zgjedhin ture më të shtrenjta mund të sjellin të hyra edhe më të mëdha.

“Harxhon, varet çfarë turisti vjen. Tani kemi turistë shumë të mirë që janë edhe këta, se edhe këta e ngritin ekonominë, po janë turistë shumë që quhen luxury tour, ose private tour që harxhojnë shumë. Kemi më shumë turista që kalojnë ose backpackers ose që kalojnë nëpër Kosovë, kanë shëtitur nëpër Ballkan, kalojnë… Parafërsisht mundet me shku te 100 euro me i harxhu në ditë”, thotë ai.

Sipas Tërnavës, turizmi mund të jetë një prej sektorëve më të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të Kosovës, veçanërisht në një kohë kur vendi nuk po arrin të tërheqë investime të mëdha industriale.

Ai vlerëson se Kosova ka përparësi në mikpritje dhe shërbime, por këto potenciale duhet të shoqërohen me një strategji të koordinuar mes institucioneve dhe operatorëve turistikë.

Ai ka përmendur edhe politikat mbështetëse të vendeve të rajonit, duke thënë se Maqedonia e Veriut në të kaluarën ka subvencionuar operatorët turistikë për turistët që sillnin në vend, përfshirë mbështetjen në bileta dhe shërbime të tjera.

“Po mundet, edhe unë e parashoh si të vetmen shpresë për me u zhvillu ekonomia e vendit në mënyrë më të shpejtë, është turizmi. Tek ne nuk po vijnë fabrikat e mëdha të industrisë, kështu që duke marrë parasysh që mikpritjen e kemi, shërbimin e kemi, i kemi makiato më të mirat në botë edhe ekspresot i kemi të mirat, kështu që disa shërbime i kemi shumë të mira në krahasim me shtetet e Ballkanit… E çka duhet me bërë shteti edhe turoperatorët tonë? Me u bashku, me u koordinu mirë, edhe me dal me prezantu Kosovën, që turistat, grupet që vijnë se aty është ekonomia më e lartë që i ndihmon Kosovës, me ardh, me u nis prej Kosovës edhe me u kthy në Kosovë prapë. Se kur kjo ndikon shumë, që sa më shumë netë që rrinë në Kosovë, aq më shumë të hyra sjellin për Kosovën. Edhe linjat e aeroplanit edhe kjo ndikon, biletat që janë shtrenjtu nganjëherë. Për shembull në të kaluarën, shteti i Maqedonisë turoperatorëve i ka ndihmu me një shumë të caktuar për secilin turist që e kanë sjellë. Edhe në bileta po edhe në shërbime të tjera që ua kanë dhënë. Krejt çka duhet, promovimi i shtetit duhet të bëhet prej shtetit. Se s’mundet një turoperator”, thotë Ternava.

Ternava ka folur edhe për mundësinë e përfshirjes së veriut të Mitrovicës në ofertën turistike të Kosovës, duke thënë se kjo pjesë e vendit ngjall interesim te turistët e huaj.

“Ka turistë që duan me pa edhe pyetje bëjnë shumë për veriun e Kosovës, për veriun e Mitrovicës. Edhe ka që shkojnë, e vizitojnë e shohin. Është interesant. Nëse dimë ne me e prezantu qysh duhet, çka të dimë me e prezantu qysh duhet, po nuk mundemi vetë, pa shtetin. Me i bërë disa ture për Mitrovicën e Veriut me detaje, me orë të caktuara. Me ju tregu që siguria është në nivel tash edhe atje. Nuk është ajo se qysh kanë prezantu Serbia edhe çka kanë thënë. Po me i dërgu me shku me pa veriun, jugun qysh ka mbet. Për shembull, veriu pa investime që sa vite atje, dhe dallimin me e bërë me jugun. Shkon në jug, i pin një kafe e sheh investimet që janë bërë dhe si zhvillohet jeta, dhe shkon në veri, e sheh që s’ka pas investime më shumë se dy dekada atje, pse është kontrollu prej krimit, organizu prej kriminelëve. Edhe tash kanë fillu investimet edhe atje, që është shumë e mirë kjo, shumë pozitive, që sa më shumë të investohet atje në veri dhe me u integru edhe ajo pjesë me qenë sikur jugu”, potencon Ternava.

Ternava ka veçuar turistët anglezë si një prej grupeve me të cilët, sipas tij, ka pasur përvoja veçanërisht të mira gjatë vizitave të tyre në Kosovë.

“Po sidomos me anglezët, me anglezët kalojmë, duhet me i veçu se personalisht unë kaloj shumë mirë me ta kur vijnë në Kosovë. Anglezët, amerikanët, gjermanët, janë ata që vizitojnë më së shumti Kosovën, edhe spanjollët kohët e fundit, për shkak të biletës me Shkupin që është shumë lirë, me Spanjën me Madridin, edhe ata po vizitojnë Shkupin, po vijnë një ditë ose dy këtu. Në të kaluarën s’kemi pasur asnjë turist prej Spanjës se e kam parë. Kësaj radhe, këtë vit ka shumë turista prej Spanjës që më kanë befasu për të mirë”, thotë ai.

Por, si lindi ideja për themelimin e “Traveks”?

Ternava ka rrëfyer se para pavarësisë së Kosovës, rreth vitit 2007, një çiklist nga jashtë kishte hyrë në lokalin e vëllait të tij, duke kërkuar ndihmë për të kaluar natën. Në vend që ta linin të qëndronte vetëm në lokal, familja e Tërnavës e kishte strehuar në banesë.

“Ideja që u themelua Traveks ka shtyrë më shumë në anën vullnetare, si punë të dytë e kemi bërë. Njëherë të parë që ka qenë një biçiklist ka ardhë në lokalin e vëllaut qysh herët në 2007-ën diku, para pavarësisë. Edhe kishte bërë xhiron me biçikletë gjithë Evropën. Edhe ka ardhë aty edhe kërkoi biçikletë, tendën, tha nuk po ndihem aq i sigurt këtu, për me e vendos natën, me kalu në lokal. Pastaj ne e morëm, si shqiptarë qysh jemi mikpritësa, shumë me zemërgjerë, nuk e lamë, e lamë biçikletën në lokal dhe e morëm në banesë. Qëndroi, kishte ardhur për një natë me kalu, kaloi tri net, i pëlqeu shumë mikpritja jonë. Edhe aty lindi pak a shumë që të bëjmë diçka në mënyrë vullnetare për të huajt që vijnë në Kosovë. Ta kenë një adresë, ta kenë një këshillim, ta kenë një sugjerim ku me shku, çfarë me bë”, thotë ai.