Trump lavdëron Kinën për trajtimin e kërcënimit bërthamor nga Phenjani
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, foli me ton më të butë ndaj Kinës dhe lavdëroi liderin e saj, Xi Jinping, për trajtimin e kërcënimit bërthamor nga Koreja e Veriut.

Bota
Në të njëjtën kohë, ai i bëri thirrje Xisë që “të punojë fuqishëm” për ta bindur Pehnjanin që të heqë dorë nga programi bërthamor.
Trump i bëri këto komente për gazetarët në Pekin, ku edhe ndodhet për vizitë shtetërore.
Trump dhe Xi kanë zhvilluar bisedime më herët dhe kërcënimi i Phenjanit raportohet se ka qenë në krye të agjendës.
Koreja e Veriut, në muajt e fundit, ka testuar disa raketa balistike dhe ka kryer provën e gjashtë bërthamore. Ajo ka kërcënuar me sulme vendet fqinje dhe SHBA-në.
Pekini shihet si faktor me ndikim te Phenjani, pasi është aleati kryesor ekonomik i tij.
Xi dhe Trump po ashtu njoftuan se vendet e tyre kanë nënshkruar marrëveshje biznesore, në vlerë prej 250 miliardë dollarësh, gjatë vizitës së presidentit amerikan.