Tronditet elita ruse – Ministri që u gjet i vdekur në një park ishte shkarkuar disa orë më parë nga Putini
Vdekja e Ministrit të Transportit në Rusi, Roman Starovoyt, erdhi si një tronditje për elitën ruse. Sipas hetuesve, trupi i 53-vjeçarit u gjet në timonin e makinës së tij Tesla Model X në një park jo shumë larg zonës luksoze rezidenciale të Moskës, Rublevka. Disa orë më parë, ishte njoftuar se Presidenti rus Vladimir Putin…

Bota
Vdekja e Ministrit të Transportit në Rusi, Roman Starovoyt, erdhi si një tronditje për elitën ruse. Sipas hetuesve, trupi i 53-vjeçarit u gjet në timonin e makinës së tij Tesla Model X në një park jo shumë larg zonës luksoze rezidenciale të Moskës, Rublevka.
Disa orë më parë, ishte njoftuar se Presidenti rus Vladimir Putin e kishte shkarkuar Starovoyt – pa dhënë shpjegime. Të pasurve dhe të fuqishmëve të Rusisë iu kujtua në pragun e derës së tyre se sa e pasigurt është në të vërtetë situata e tyre, shkruan A2.
Në rajonin e Kurskut, vendlindjen e Starovoyt, të cilin ai e qeverisi si guvernator deri në maj 2024, janë duke u zhvilluar hetime për korrupsion në lidhje me ndërtimin e fortifikimeve përgjatë kufirit ukrainas. Sipas raportimeve të medias ruse, vetëvrasja e Starovoyt mund të ketë paraprirë një arrestim nga Komiteti Hetues.
Rasti Starovoyt tregon shkallën e presionit mbi elitat e Rusisë në vitin e tretë të luftës. Ajo për të cilën nëpunësit e lartë civilë dikur mund të mbështeteshin nuk vlen më. Zyrtarët e lartë të Vladimir Putinit jetojnë në pasiguri të vazhdueshme, theksojnë analistët për mediat gjermane. Fakti që ata i përkasin elitës administrative të vendit tani është bërë një “kurth pa rrugëdalje”, thotë në një analizë ekspertja Alexandra Prokopenko, e organizatës amerikane Carnegie.
Më parë, në sistemin e Vladimir Putinit zbatohej rregulli që ata që janë besnikë dhe ruajnë marrëdhëniet e duhura me klanet përreth sundimtarit gëzojnë imunitet “de facto” nga ndjekja penale. Sistemi i dërgon vetëm tradhtarët në burg – ose në jetën e përtejme.
Ministrat dhe zyrtarët e lartë të shkarkuar u zhvendosën në pozicione të tjera pa ulje të konsiderueshme në detyrë, pavarësisht hetimeve për korrupsion ose sjellje të pahijshme. Shembulli më i mirë është Ministri i Mbrojtjes, Anatoly Serdyukov, i cili u shkarkua në vitin 2012 pas një skandali korrupsioni në departamentin e tij. Sot, ai është anëtar i bordit mbikëqyrës të grupit shtetëror të aviacionit OAK, i cili bashkon të gjithë prodhuesit e avionëve civilë dhe ushtarakë të Rusisë nën një çati.
Ndërsa politikanët kryesorë të Rusisë pyesin veten nëse patronët e tyre mund t’i mbrojnë nga FSB-ja dhe Komiteti Hetues në rast dyshimi, ekziston një fraksion elitar që mund të jetë i sigurt për pozicionin e tij për momentin, por edhe ata besojnë se fundin e kanë afër.