Tre njerëz, një mision: t’u jepet qenve të braktisur një jetë e dytë
Strehimorja e qenve “Prishtina Dog Shelter” në Graçanicë, është shembull se si misionet që njerëzit i vendosin vetes në jetë, i tejkalojnë barrierat etnike e racore. Shqiptari, Mentor Gashi, serbi Sllavisha Stojanoviq dhe romi, Bajram Jasharaj, janë bërë bashkë për t’ua përmirësuar jetën qenve endacak, dhe për t’ua mundësuar jetesën më të mirë, falë adoptimit.…
Lajme
Strehimorja e qenve “Prishtina Dog Shelter” në Graçanicë, është shembull se si misionet që njerëzit i vendosin vetes në jetë, i tejkalojnë barrierat etnike e racore.
Shqiptari, Mentor Gashi, serbi Sllavisha Stojanoviq dhe romi, Bajram Jasharaj, janë bërë bashkë për t’ua përmirësuar jetën qenve endacak, dhe për t’ua mundësuar jetesën më të mirë, falë adoptimit.
Se si nisi kjo histori, e rrëfen Mentori që e themeloi organizatën 14 vjet më parë.
“Kam filluar të punoj këtë punën humanitare me qent endacak para 14 viteve. Ka qenë një projekt i i formuar prej një amerikani në 2012, i cili ka zgjatur dy vite. Po pasi që është kryer projekti, unë me kolegun tim Slavişhën filluam të punojmë vetë pasi e mësuam punën. Unë kam qenë përgjegjës të punësoj njerëz e një ndër të parët ka qenë kolegu im Slavişha edhe kemi filluar të punojmë së bashku. Me Slavişhën [jemi takuar] rastësisht, kur ka filluar ai projekti me 2012, afër shtëpisë së tij kemi filluar të punojmë. Tani ka ndodhur një incident i vogël me qenin tonë në shtëpinë e tij, ia kanë sulmuar lepurat. Edhe kështu jemi njoftuar, e kam pyetur a po do me punu. Ka qenë pak situatë qesharake. Më ka pëlqyer si njeri edhe ka pranuar me punu. Ndërsa Bajrami ka jetuar në Itali, kur është kthyer na ka shkruar, e kam pranu, tha ai.
Sot, kjo strehimore, e ngritur si iniciativë private nga dy miq, kujdeset për rreth 45 qen.
Çdo ditë puna nis herët në mëngjes, me pastrimin, ushqimin dhe kujdesin për qentë.
“Asnjëherë më shumë se 45 qen sepse s’kemi mundësi (me I mbajt) edhe nuk është mirë me mbajtur shumë qen. Sepse s’ki s’ki mundësi me i ushqyer krejt, S’ki mundësi me i shëruar të gjithë, po kryesisht i sterilizojmë i kthejmë ku i kemi marrë. Kush punon me kafshë, e din, duhet me ardh herët në mëngjes, me pastru, me ndërru ujin, me i ushqy, me shiku a është na ndonjë i sëmurë. Pastaj e kemi punën në terren ku na ftojnë njerëzit për lloj-lloj rasti. Nëse kemi mundësi, shkojmë. Siç ishte një rast para dy ditëve, kur një qen me dy këmbë të thyera e morëm, e shëruam, e operuam.Në rastin e ekstrem të lëndimit e mbajmë derisa të shërohet edhe… edhe e mbajmë për me i dhënë edhe shans me gjetur shtëpi”, tha ai.
Në një cep të Graçanicës, në tokën që e kanë marrë me qira, kalojnë pjesën më të madhe të ditës së bashku.
Si në çdo vend pune, ka edhe mosmarrëveshje të vogla. Por, thonë ata, asnjëherë nuk kanë qenë të lidhura me përkatësinë etnike.
“Këtu është ambient më i mirë, nuk ka shtëpi afër, rruga është pak më lart. Është shumë vend i mirë për këtë lloj pune që bëjmë ne. Bashkëpunimi është i mrekullueshëm, shumë mirë e çojmë. Tërë ditën jemi, më shumë jemi bashkë njëri me tjetrin se sa me familjet tona, domethënë prej mëngjesit 7:00 deri në mbrëmje 6:00, 7:00. Sigurisht si çdo si çdo organizatë ose familje ose gjithkund ka probleme, po ato i tejkalojmë. Ama në baza nacionale kurrë. Se s’na intereson ajo, kurse çka është sepse punojmë një punë humanitare. Kemi qelluar të tretë që e dimë punën, e duam, e çojmë mirë”, u shpreh Gashi.
Të njëjtën ndjenjë e përshkruan edhe Slavisha Stojanoviq që është menaxheri i strehimores,.
Për të, përkatësia etnike nuk ka qenë asnjëherë e rëndësishme.
“Kush e këqyr nacionalitetin? Ne s’po e këqyrim. Ne jemi shokë se që 14 vjet punojmë bashkë. Si familja, bashkë jemi. Si me gruan e Mentorit, ajo vjen te shtëpia jem. Unë po shkoj për Bajram te Mentori, me gruan. 14 vjet, çdo ditë jemi këtu. Çdo ditë, prej mëngjesit prej 8:30 deri 6:00, 7:00 (në mbrëmje)”, tha ai.
Megjithatë, përvec kujdesit për qentë, çdo ditë përballen edhe me një sfidë tjetër — mbajtjen në funksion të strehimores.
“Po, veç prej donacioneve. Para Covid 19 ka pasur më shumë donacione. Tash më pak, por ne i duam qentë dhe punojmë. Na marrim pak donacione…, 10 euro, 20 euro, 30, 50 euro. Edhe prej Facebookut të Mentorit diçka morëm, po ndërrojmë. Me tre veta, sa dalin dalin 200-300 dalin në muaj. Kapacitetin këtu e kemi, tash e kemi për 50 e diçka qen. Ne kishim mundur të ndreqnim edhe më shumë bokse, veç s’kemi donacion, s’kemi para. Badihava! Ku është me marrë ushqim, ku është me pagu veterinarin”, tha ai.
Stojanoviq thotë se numri i qenve të braktisur është shumë i madh, ndërsa çdo ditë përpiqen t’u japin ndihmë atyre që kanë më shumë nevojë.
“Shumë qenë ka në rrugë. Shumë. Ne ka 14 vjet që punojmë, të tregova të drejtën pa 2,000-3,000 qen, sigurisht me sterilizime edhe me adaptim. Sërish, shumë qenë edhe në Prishtinë edhe në Graçanicë, shumë qenë i ki. Ne kur po dalim në teren e këqyrim ku është qeni. prioriteti është a është i sëmurë, a e ka thyer këmbën, a ka të thyer diçka. E marrim qenin edhe shkojmë te veterinari, krejt e paguajmë ne. Shumica kur thërrasin: “Ka një qen këtu, ka thyer këmbën, ka thyer…” Po shkojmë, prioritet, po shkojmë. Ne shkojmë edhe në Shqipëri, edhe në Maqedoni. Kur e këqyrim në Facebook a diçka, shkojmë. E marrim qenin e këqyrim”
E disa vite më vonë ekipit të vogël të kësaj strehimoreje, iu bashkua një djalë i ri që sapo kishte ardhur nga Italia.
Dëshirë e tij ishte hapja e një strehimoreje për qentë e braktisur, por duke mos e pasur përvojën, vendosi t’i bashkëngjitet organizatës Prishtina Dog Shelter.
“Unë, me të thënë të drejtën, unë jam rritur në Itali edhe kam ardh këtu prej Italisë, po e pashë menjëherë një problem si ka qenë këtu në Kosovë se ka pasur shumë qen. Edhe mendova me veten qysh me rregullu këtë punë, edhe mendova edhe unë kështu ta bëjë ndonjë zgjidhje ndaj kësaj rrethane, por isha shumë i ri, a e din? Edhe nuk e kam pasur një eksperiencë me qen, se kurrë vetë nuk e kam socializuar ndonjë qen. Edhe pastaj fillova me Mentorin me kontaktu, me këqyrë qysh po shkon gjendja me qen, edhe qysh është procesi mbas veterinarit, me i çu jashtë, se e kemi do për shembull që shkojnë jashtë edhe me adoptime. Shumë mirë na shkon”, u shpreh ai.
E kur vendosi të kthehej të jetonte në Kosovë, Bajrami nga komuniteti rom nuk dinte as shqip, serbisht apo gjuhën rome, për këtë adaptimi nuk ishte i lehtë.
Por më të lehtë e bëri bashkëpunimi në organizatë e ndërtuar mbi përgjegjësinë ndaj qenve dhe jo mbi dallimet.
“Po për momentin më shumë jemi bashkë. Si me qenë në shtëpi ose diçka, më shumë jemi bashkë. Edhe puna na shkon për momentin shumë mire. Neve nuk na intereson kjo punë përgjegjësia jonë është veç me krye punën sa më shpejt edhe me këqyrë ndonjë sukses për qentë e dëmtuar që i kemi, edhe inshAallah me e rrit punën sa më shumë”, tha ai.
Çdo qen që gjen një familje të re është dëshmi se mundi i këtyre të treve nuk ka shkuar kot. Për ta, adoptimi nuk nënkupton vetëm një shtëpi të re për qenin, por edhe shpërblimin më të madh për punën që bëjnë çdo ditë.
Ndërsa për ta vazhduar këtë mision, ata mbështeten në donacione dhe mirëpresin edhe vullnetarë që duan të ndihmojnë.
Kjo storie është realizuar nga Qendra për Inovacion dhe Zhvillim -CFID dhe Kosovapress, në kuadër të një projektit të përbashkët me UNMIK-un që synon ndërtimin e mirëbesimit në mes të komuniteteve në Kosovë.