Audio-incizimi për shkarkimin e Abdixhiku- LDK paralajmëron masa disiplinore ndaj zyrtarëve, kërkohet edhe hetimi nga Prokuroria
Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pas publikimit të një audio-incizimi mbrëmë në të cilën njëri nga zyrtarët komunal të Prishtinës i ofronte zyrtarit të LDK-së mundësinë e punësimit të gruas së tij në shkëmbim të votës për rrëzimin e Lumir Abdixhikut. Nga LDK-ja deklaruan se dënojnë ashpër çdo formë të presionit, shantazhit apo kërcënimit…
Lajme
Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pas publikimit të një audio-incizimi mbrëmë në të cilën njëri nga zyrtarët komunal të Prishtinës i ofronte zyrtarit të LDK-së mundësinë e punësimit të gruas së tij në shkëmbim të votës për rrëzimin e Lumir Abdixhikut.
Nga LDK-ja deklaruan se dënojnë ashpër çdo formë të presionit, shantazhit apo kërcënimit ndaj delegatëve të Kuvendit të LDK-së.
“Pamjet e publikuara në opinion, në të cilat pretendohet ushtrim i presionit nga zyrtarë të Komunës së Prishtinës mbi një delegat të LDK përmes kërcënimeve që lidhen me vendin e punës së një anëtari të familjes së tij, paraqesin një sjellje të papranueshme të këtyre zyrtarëve publik e në kundërshtim të plotë me vlerat, parimet dhe Statutin e LDK-së e në kundërshtim me ligjin”,thuhet në reagim.
Gjithashtu u theksua se LDK është ndërtuar mbi lirinë e mendimit, votës dhe bindjes. Askush e aq më pak ata që bartin role institucionale, nuk kanë të drejtë ta zëvendësojë vullnetin e lirë të delegatëve me frikësim, presion apo shantazh.
“Prandaj, organet kompetente të LDK-së do të iniciojnë menjëherë dhe pa asnjë vonesë, procedurat statutare dhe disiplinore ndaj këtyre anëtarëve të LDK që rezultojnë të përfshirë në këtë rast, pa dallim funksioni apo pozite. Njëkohësisht, ftojmë organet e drejtësisë, në veçanti Prokurorinë, që të ndërmarrin veprimet e nevojshme hetimore për të sqaruar plotësisht të gjitha rrethanat e këtij rasti dhe për të vendosur përgjegjësi ligjore mbi elementet e veprave penale”, theksohet tutje.
Nga partia e drejtuar nga Abdixhiku thonë se “LDK nuk do të tolerojë asnjë veprim që cenon lirinë e vendimmarrjes, integritetin e proceseve tona demokratike dhe dinjitetin e njerëzve tanë.
Demokracia nuk mbrohet me presion. Ajo mbrohet me votë të lirë.”./Lajmi.net/