Tre deputetët shqiptarë mbajnë peng ndryshimet kushtetuese në Maqedoni

Tre deputetë shqiptarë po mbajnë peng ndryshimet kushtetuese në Maqedoni, pasi që ata po kërkojnë që në këto ndryshime kushtetuese të përfshihen edhe zyrtarizimi i gjuhës shqipe, përdorimi i simboleve kombëtare dhe premtime të tjera, që përmirësojnë jetën e shqiptarëve, të bëra nga BDI-ja gjatë fushatë zgjedhore.

Lajme

21/01/2015 21:23

Tre deputetët e BDI-së, Zulfi Adili–Qufa, Hazbi Lika dhe Xhevat Ademi po mbajnë peng ndryshimet kushtetuese të propozuara nga Qeveria e Maqedonisë.

Kjo situatë ka shkaktuar nervozizëm tek VMRO-DPMNE, e cila insiston që të respektohet marrëveshja dhe të votohen ndryshimet kushtetuese.

Në bazë të një marrëveshje partiake midis VMRO-DPMNE dhe BDI, këto dy parti janë marrë vesh që të miratohen ndryshimet kushtetuese, edhe pse ato janë ndeshur me shumë kritika nga ana e bashkësisë ndërkombëtare, për shkak të mungesës së dialogut politik dhe mospërfshirjes të opozitës maqedonase, e cila po bojkoton Parlamentin, raporton agjencia e lajmeve INA.

Deputetët e “rebeluar” i janë shmangur deklaratave për mediat, ndërsa ata po mbajnë të bllokuar këto ndryshime nga bindja parimore se me ndryshime kushtetuese duhet të përfshihen edhe kërkesat që kanë të bëjnë me shqiptarët dhe e gjithë ajo që ishte premtuar në zgjedhjet e fundit. 

Kërkesat e deputetëve janë që ndryshimet kushtetuese duhet të përfshijnë zyrtarizimin e gjuhës shqipe, duke e përkufizuar se gjuha shqipe është gjuhë zyrtare dhe jo gjuhë e bashkësisë etnike mbi 20 %, më pas ndryshimet për përdorimin e simboleve kombëtare shqiptare, ndryshimet kushtetuese për funksionalizimin e institucioneve ekzekutive, ku duhet të aplikohet sistemi i heqjes së majorizimit dhe mbivotimit, si dhe kërkesa të tjera.

Gjithashtu bëhet e ditur se shumica e krerëve më të lartë të BDI-së kanë lutur tre deputetët që të heqin dorë dhe të votojnë këto ndryshime, por deri tani nuk ka pasur asnjë rezultat për tërheqjen e tyre. Deputetët e kontaktuar nga INA kanë deklaruar se nuk do të deklarohen për mediat lidhur me vendimet e tyre, por këtë do ta bëjnë më vonë.

VMRO-DPMNE dhe BDI deri tani nuk kanë arritur të sigurojnë numrat e nevojshëm prej 82 votave për të votuar këto ndryshime. Nga ana tjetër, partia shqiptare në opozitë,  PDSH-ja është shprehur se do të votojë kundër këtyre ndryshimeve dhe pazareve të bëra midis dy partive në pushtet dhe se kjo parti ka theksuar këto ndryshime nuk përfshijnë çështjet që kanë të bëjnë me shqiptarët.