Trajneri i Belgjikës, Martinez: De Bruyne është një lojtar i pazakontë

Trajneri i Belgjikës, Roberto Martinez ka dhënë disa komente lidhur me Kevin de Bruyne.

Sport

13/03/2022 17:15

De Bruyne po vazhdon të tregojë paraqitje sensacionale në Premier League me skuadrën e Manchester City.

Dy golat dhe asisti i tij ndaj Manchester United kanë konfirmuar edhe një herë se ai është më i miri në pozitën e tij në kampionatin anglez (dhe jo vetëm).

Për lojtarin, disa komente ka dhënë edhe Martinez, selektori i Belgjikës. Ai beson se KDB është i pazakontë.

“Kevin De Bruyne me gjasë është një lojtar shumë i pazakontë. Ne jemi mësuar të shohim lojtarë që ekzekutojnë pasin e fundit, që kanë vizion për ndeshjen, dhe gjithmonë mendojmë se këta lojtarë kanë nevojë për kohën e tyre që të bëjnë këto gjëra, por Kevin De Bruyne, ai e bën ndryshe, ai cakton tempon e ndeshjes”, ka thënë Martinez, transmeton lajmi.net.

“Ai është lojtar kreativ, shumë ndryshe nga ajo që ne kuptojmë, me kapacitet teknike të lartë, por mbi të gjitha, me vizionin që ka për të gjetur hapësira dhe për të gjetur kohën se kur duhet ta jap topin”, shtoi trajneri. “Ai tani është në një skuadër që lufton për secilin titull, është në momentin më të mirë të karrierës së tij. Është e vështirë të gjesh një lojtar tjetër që mund t’i jap atë rol skuadrës së tij”, ishin fjalët e Martinez.

De Bruyne ka qenë lojtar kyç në projektin e Pep Guardiola te Manchester City, por me kombëtaren e Belgjikës nuk arriti të siguronte një trofe me atë që njihet si ‘gjenerata e artë belge’. /Lajmi.net/