Tragjedia në Malishevë ku humbën jetën tre persona, Krasniqi: Nuk dihet shkaku i zjarrit

Tre persona kanë humbur jetën si pasojë e asfiksimit nga tymi pas një zjarri në një banesë në Malishevë. Nënkryetari i Komunës së Malishevës, Vesel Krasniqi, bëri të ditur se viktimat janë babai me dy fëmijët e tij. “Fatkeqësisht sot nga asfiksimi, nga zjarret në banesën e tyre kemi tri viktima, babai me dy fëmijë,…

Lajme

16/04/2026 16:46

Tre persona kanë humbur jetën si pasojë e asfiksimit nga tymi pas një zjarri në një banesë në Malishevë.

Nënkryetari i Komunës së Malishevës, Vesel Krasniqi, bëri të ditur se viktimat janë babai me dy fëmijët e tij.

“Fatkeqësisht sot nga asfiksimi, nga zjarret në banesën e tyre kemi tri viktima, babai me dy fëmijë, vajza dhe djalë. Sapo kemi marrë informacionet, organet tona prej policisë, urgjenca, emergjenca, të gjitha njësitë kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe stafi mjekësor i cili ka bërë të pamundurën, por në momentin kur është bërë njoftimi, paksa ka qenë ndoshta edhe vonë, janë gjetë pa shenja jete babai me dy fëmijët e vet”, tha ai.

Ai shtoi se të gjitha institucionet relevante janë angazhuar menjëherë për trajtimin e rastit.

“Tash policia, hetuesia, prokuroria, të gjithë ata janë duke e kryer punën e vet edhe ne lutemi edhe bëjmë presion që sa më shpejt të zbardhet rasti si ka rrjedh, qysh ka rrjedh. Ajo çka është me rëndësi që të gjithë organet kanë qenë në vendin e ngjarjes në kohën e duhur, por fatkeqësisht ka qenë e pamundur që t’i shpëtojmë tri jetë”, tha ai.

Krasniqi shprehu ngushëllime për familjen e viktimave, edhe në emër të kryetarit të komunës.

“Unë në emrin tim personal edhe të kryetarit Kastrati, sigurisht kryetari nga mëngjesi është i shtrirë për një trajtim mjekësor në spital edhe besoj shumë shpejt do të dalë ditëve në vijim. Në emrin tim edhe të kryetarit Kastrati, por edhe të gjithë qytetarëve të komunës së Malishevës, i shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes Berisha”, tha ai.

Sipas tij, shkaku i saktë i zjarrit ende nuk dihet, ndërsa dyshohet për asfiksim nga tymi.

“Për të gjitha këto veç janë, e keni parë edhe vetë që janë hetuesia, janë duke e kryer punën e vet, ne nuk është në kompetencat tona dhe nuk e dimë si pasojë e çfarë ka rrjedh sepse në moment veç i kanë gjetë, por ajo që dihet nga stafi mjekësor thuhet që është nga asfiksimi, do të thotë nga tymi i cili ka ndodh pas kalljes aty çka ka mund me u kall, me u djeg aty”, tha ai.