Një qytetar e kërcënon me jetë dhe e ofendon rëndë në Facebook deputeten e PDK-së, Arbnora Salihu – rasti denoncohet në Polici

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Arbnora Salihu, ka bërë të ditur se është kërcënuar me jetë dhe është ofenduar rëndë përmes rrjetit social Facebook, ndërsa në shënjestër të sulmeve ka qenë edhe familja e saj. Përmes një reagimi publik, Salihu ka njoftuar se rasti është denoncuar menjëherë në Policinë e Kosovës, duke shtuar…

Lajme

16/04/2026 17:34

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Arbnora Salihu, ka bërë të ditur se është kërcënuar me jetë dhe është ofenduar rëndë përmes rrjetit social Facebook, ndërsa në shënjestër të sulmeve ka qenë edhe familja e saj.

Përmes një reagimi publik, Salihu ka njoftuar se rasti është denoncuar menjëherë në Policinë e Kosovës, duke shtuar se tashmë u takon organeve kompetente të ndërmarrin veprimet e nevojshme ligjore ndaj personit përgjegjës, transmeton lajmi.net.

Ajo ka theksuar se, përkundër ofendimeve dhe gjuhës së urrejtjes, përpjekje të tilla nuk do ta ndalin në ushtrimin e detyrës së saj si deputete në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

“Përpjekjet për të më frikësuar, denigruar dhe poshtëruar nuk do të kenë sukses,” është shprehur Salihu, duke shtuar se angazhimi i saj për t’i shërbyer vendit dhe qytetarëve mbetet i palëkundur.

Deputetja ka dënuar gjuhën e urrejtjes dhe linçimin publik, duke bërë thirrje për trajtim serioz të rasteve të tilla nga institucionet përkatëse.

Postimi i plotë: 

Sot, përmes rrjetit social Facebook jam kërcënuar me jetë dhe jam ofenduar në mënyrën më të rëndë nga një qytetar. Përveç meje është ofenduar dhe linçuar edhe familja ime, përkundër kontributit të saj kombëtar.

Rastin sapo e denoncova në Policinë e Kosovës dhe mbetet në dorën e organeve kompetente që të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme ligjore ndaj personit në fjalë.

Përpjekjet e tilla për të më frikësuar, denigruar dhe poshtëruar përmes gjuhës së urrejtjes nuk mund të më ndalin ta kryej me përgjegjësi punën time si deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Përkushtimi dhe angazhimi im për t’i shërbyer vendit dhe qytetarëve është i palëkundur./lajmi.net/