Tragjedi në Indi

Së paku 89 pelegrinë kanë vdekur, në një turmë që u krijua gjatë ritualit në afërsi të një Tempulli, në Indinë Qendrore. Paniku shpërtheu kur turma po mundohej ta kalonte një urë lumi, afër faltores.

Lajme

13/10/2013 15:50

Mijëra pelegrinë ishin mbledhur në Tempullin Ratangarm, rreth 60 km nga qyteti Datia në shtetin Madhya Pradesh, në një festival religjioz.

Paniku shpërtheu kur turma po mundohej që ta kalonte urën mbi lumin Sindha, në afërsi të faltores.

Shumica e viktimave kanë humbur jetën në turmë pasi janë shkelur, ndërsa të tjerët nga paniku janë hedhur nga ura.

Një besimtar vendas, Atul Chaudhary, i cili mbijetoi, tha për BBC në Indi se në urë ishin mijëra njerëz.  Ai kishte dëgjuar britma dhe njerëzit kishin filluar që të vraponin, të iknin nga ura.

“Shumë njerëz u rrëzuan dhe u shkelën në mes të asaj përplasje”, tha ai.

“Disa prej të rinjve që i kapi paniku u hodhën në lum. Unë dhe disa miqtë e mi ishim afër daljes nga ura dhe me disa të tjerë shpëtuam. Fatkeqësisht jo të gjithë ishin me fat”.

Ura e ngushtë është përafërsisht 500 metra e gjatë dhe së fundmi ishte rindërtuar nga një rrënim në vitin 2007.

Ministri i Shëndetësisë i shtetit Madhya Pradesh, Narottam Mishra, tha se 89 persona janë konfirmuar si të vdekur.

“Arsyeja e rrënimit të kësaj ure tashmë është çështje për hetim gjyqësor”, tha ai.

Raportet tjera thonë se policia kishte përhapur panikun, duke përdorur shkopinjtë për të kontrolluar turmën.

Grupet e emergjencës dhe specialistët e zhytjes akoma janë duke kërkuar në lumë për trupa njerëzish.

Aksidenti ndodhi rreth orës 9:00 të mëngjesit, por informacioni u dha shumë më vonë, sepse Tempulli është i vendosur në një zonë të izoluar e të largët, ku ka çrregullim në mbulimin e telefonave.

Festivalet Hindu në Indi janë të njohura për turmat vdekjeprurëse. Vitin e kaluar, dhjetëra persona kishin vdekur në një tragjedi të ngjashme. Në vitin 2011, më shumë se 100 veta kishin humbur jetën në një festival në Kerala, shtet ky në jug të vendit. Brenda Jodhpur’s Mehrangarh Fort, më shumë se 220 persona kishin vdekur në vitin 2008, pas eskalimit të një turme në tempullin Chamunda Devi Hindu.