Torreira befason: Nuk dua të luaj më në Evropë, dua të shkoj tek Boca

Mesfushori i Atletico Madrid, Lucas Torreira ka befasuar me deklaratën e tij të fundit.

Sport

01/04/2021 20:27

Torreira erdhi si huazim i thjeshtë nga Arsenali në “Wanda Metropolitano”, por që nuk arriti të zë vend në formacionin bazë të Diego Simeones.

Uruguajani deklaroi se dëshiron të shkojë në Boca Juniors dhe të jetë pranë familjes së tij.

“Jam duke e vlerësuar situatën, është e vështirë të kuptohet por koha kalon dhe nuk dua të jetoj me këtë dhimbje”, tha ai.

“Nëna ime ishte 53 vjeçare dhe vdiq nga COVID-19, kishte një shpërthim të virusit në Fray Bentos dhe ajo qëndroi 11 ditë duke luftuar, por të hënën mora lajmin më të keq”, tha Torreira për “ESPN”, transmeton lajmi.net.

“Mora leje nga klubi dhe Cholo u tregua i kuptueshëm, qëndrova një javë por doja të qëndroja më shumë”, tha ai.

“Unë gjithmonë kam thënë se dëshiroj të luaj për Bocan, në fakt unë vdes të luaj për ta. Dua me gjithë shpirt të luaj në Boca dhe sigurisht që në qershor do të vendos për këtë gjë”, tha Torreira.

“Nuk dua të luaj më në Evropë, tani dua të luaj për Boca Juniorsin”, përfundoi Lucas Torreira./Lajmi.net/