Tiranë, video-skandali me policët, arrestohet 40-vjeçarja (Video)

Arrestohet protagonistja e videos, ku ajo shfaqet duke u konfliktuar me dy efektivë policie. Pas pezullimit nga detyra të dy punonjësve të policisë, të cilët shfaqen në video sharë e goditur shtetasen Alma Martini, është arrestuar edhe kjo e fundit. Burime nga policia thanë se 40-vjeçarja nga Lezha akuzohet për “goditje dhe fyerje të punonjësve të policisë në krye të detyrës.

Lajme

09/02/2015 10:08

Pamjet filmike u regjistruan nga një qytetar dy ditë më parë dhe aty duket momenti kur policët dhe gruaja përplasen fillimisht verbalisht me fjalor të ulët dhe më pas fizikisht. Një qytetar ka ndërhyrë për të ndarë përplasjen fizike mes policëve dhe gruas. Alma Martini u shoqërua në komisariat pas incidentit, ndërsa pas transmetimit të videos në televizion ka reaguar menjëherë ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri i cili pezulloi nga detyra dy efektivët blu. Ndërkohë që ditën e djeshme është marrë masa e arrestit për 40-vjeçaren nga Lezha. 

Ndërkohë që burime nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm thanë për “Shekullin” se nuk është vendosur asnjë masë për dy punonjësit e policisë përveç pezullimit të tyre dhe me gjasa nuk do të ketë. “Nga analizimi me kujdes i videos rezulton se njëri prej efektivëve të policisë është krejtësisht pa faj. Pritet që ai të rikthehet në detyrë, ndërsa për kolegun e tij po vijojnë verifikimet. Tashmë është në dorë të Policisë së Shtetit nëse do të marrë ndonjë masë disiplinore për dy efektivët e saj” thanë burimet nga SHKB të cilët shtuan se dy punonjësit e policisë duhet të kishin marrë menjëherë masë për ndalimin e 40-vjeçares në momentin që ajo nisi t’i kundërshtojë ata.

Konflikti mes uniformave blu dhe qytetares nisi pasi kjo e fundit ishte gjobitur për një kundravajtje rrugore, masë e cila nuk u pranua prej saj. Në momentin që qytetarja ka hedhur fletën e gjobës, asaj i ka rënë në tokë edhe patenta, që është kapur nga një prej efektivëve. Në këtë moment mes palëve konflikti ka degjeneruar me ofendime nga të dyja palët duke arritur edhe në dhunë të ndërsjellë fizike, shkruan Shekulli.