Tiranë: Protesta e shtatë mbyllet me përplasje e molotovë, sulmohet Gjykata e Apelit, 310 të lënduar në një javë
Protesta e shtatë e studentëve dhe gjimnazistëve në Tiranë është shoqëruar të hënën me përplasje të dhunshme, sulme ndaj institucioneve dhe ndërhyrje të policisë me gaz lotsjellës e ujë me presion. Tubimit, që nisi më 13 tetor, i janë bashkuar edhe qytetarë të tjerë, ndërsa situata është tensionuar gjatë ditës dhe ka vazhduar edhe në…
Lajme
Protesta e shtatë e studentëve dhe gjimnazistëve në Tiranë është shoqëruar të hënën me përplasje të dhunshme, sulme ndaj institucioneve dhe ndërhyrje të policisë me gaz lotsjellës e ujë me presion. Tubimit, që nisi më 13 tetor, i janë bashkuar edhe qytetarë të tjerë, ndërsa situata është tensionuar gjatë ditës dhe ka vazhduar edhe në mbrëmje.
Ngjarja më e rëndë u regjistrua rreth orës 14:00, kur një grup protestuesish të maskuar sulmoi Gjykatën e Apelit në Tiranë, duke thyer dyer e xhama. Disa prej tyre arritën të hynin brenda objektit, ku ndodheshin edhe punonjës. Policia njoftoi se 20 persona janë identifikuar lidhur me dëmtimet në gjykatë, pesë janë arrestuar dhe 15 të tjerë janë shpallur në kërkim.
Përplasjet u zhvendosën në disa rrugë të kryeqytetit, ku protestuesit hodhën gurë, kapsolla, fishekzjarre dhe molotovë në drejtim të policisë dhe institucioneve. Në mbrëmje, tensionet u rikthyen pranë Ministrisë së Brendshme, ndërsa policia përdori autobotë dhe gaz lotsjellës për shpërndarjen e turmës.
Bilanci i të lënduarve nga protestat ka arritur në 310 persona brenda një jave. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, 191 prej tyre janë punonjës policie, 88 protestues dhe 31 kalimtarë. Vetëm gjatë ditës së sotme, katër persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore, mes tyre një polic, një protestues i mitur, një përfaqësues i medias ndërkombëtare dhe një kalimtar.
Në zhvillimet e fundit, Qeveria shqiptare ka miratuar shpërblimin prej 2,500 eurosh për secilin nga 2,750 policët e angazhuar në vijën e parë të përballjes me protestuesit.
Për situatën kanë reaguar edhe krerët politikë. Kryeministri Edi Rama ka bërë thirrje për dialog pa kushte dhe distancim nga dhuna, ndërsa kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka shprehur mbështetje për protestën dhe ka përsëritur kërkesën për largimin e Qeverisë.
Tensionet nuk janë kufizuar vetëm në kryeqytet. Në Kurbin janë raportuar përplasje dhe hedhje molotovësh drejt godinës së Bashkisë, ku janë shkaktuar flakë në hyrje.
Protestat e studentëve dhe gjimnazistëve kanë hyrë kështu në ditën e shtatë, mes kërkesave për ndryshime dhe përplasjeve që kanë sjellë dhjetëra të lënduar, dëme materiale dhe arrestime.