Tifozët huliganë ia ndërprejnë stërvitjen trajnerit të njohur anglez
Alan Pardew dhe disa lojtarë të klubit Den Haag janë përleshur me disa tifozë për shkak të formës jo të mirë në të cilën po kalon skuadra në Eredivisie.
Sport
Ishin 10 tifozë të cilët ia mësynë fushës së trajnimit të skuadrës holandeze si shenjë proteste për formën e treguar nga lojtarët dhe trajneri gjatë këtij sezoni, me çka pati edhe kontakte fizike.
Prej se ka ardhur në Holandë, trajneri anglez ka regjistruar vetëm një fitore, e cila u arrit në ndeshjen e tij të parë kundër skuadrës së vendit të fundit, Waalwijk.
Revolta e tifozëve u shfaq edhe më herët në stadium, përmes banerave të ndryshëm që bënin thirrje për ndryshim, për të mbërritur deri te rasti flagrant i tanishëm.
Shefi ekzekutiv i klubit, Mohammed Hamiti, po tenton t’i ulë gjakrat duke u shprehur se tifozët e Den Haag janë ndër më besnikët nëpër botë dhe se ata mbështesin Pardewn dhe lojtarët.
“Den Haag ka fansat më besnikë në Holandë. Ata janë shumë pasionantë dhe dëshirojnë ta mbështesin skuadrën. Tifozët po mbështesin trajnerin dhe lojtarin”, ishin fjalët e Hamitit për Sky Sport News, transmeton lajmi.net.
Den Haag momentalisht gjendet në pozitën e 17-të me vetëm 16 pikë të grumbulluara, me çka rrezikon seriozisht rënien nga liga./Lajmi.net/