Tifozët e Skenderajt vijnë në Prishtinë për “Grupin e Drenicës”

Tifozët e Skenderajt, të njohur si “Ultras Shqiponjat e Zeza”, kanë ftuar të gjithë qytetarët e Drenicës që nga këto momente t’i bashkëngjiten autobusëve që do të udhëtojnë drejt Prishtinës për, siç thonë, “mbrojtjen e çlirimtarëve”.

Lajme

22/05/2014 00:47

Dërgimi i “Grupit të Drenicës” në qendrën e paraburgimit në veri të Mitrovicës po bëhet edhe më i vështirë.

Një grup tifozësh prej dhjetëra personash thuhet të kenë mbushur një autobus në Skenderaj për të marrë udhë drejt Prishtinës në këto momente.

Ata nëpërmjet një shkrimi në Facebook kanë ftuar qytetarët e Drenicës që t’i bashkëngjiten udhëtimit të tyre në sheshin “Adem Jashari” të Skenderajt për të udhëtuar për në Prishtinë.

Sipas korrespodentit të “Koha Ditore” në Skenderaj, tashmë është një autobus i Komunës së Skenderajt që po mbushet me së paku 20 vetë.

“Ftojmë të gjithë qytetarët e Drenicës që nga ky moment në sheshin Adem Jashari në Skenderaj janë të gatshëm autobusët për të udhëtuar drejt Prishtinës, që ti mbrojmë çlirimtarët të dorëzohen në duart e paramilitarëve në veri të Mitrovicës. Brenda 30 min bahet nisja për në Prishtinë”, kanë shkruar ata.

Ndryshe, EULEX ka thënë se nuk do të negociojë me askë për këtë punë.

Ata do të paraqiten nesër në orën 09:30 në Gjykatë, në veri të Mitrovicës, e pastaj duhet të vazhdohet me transferin e tyre në qendrën e paraburgimit atje, ka parashikuar EULEX-i.

Më hderët OVL të UÇK-së kanë njoftuar se do të vendosin nga sonte tendat në QKUK.

Organizatat e Veteranëve të Luftës së UÇK-së që nga sonte do të nisin vendosjen e tendave pranë QKUK-së.

Në këtë mënyrë, ata mendojnë të kundërshtojnë dhe bllokojnë transferimin e “Grupit të Drenicës” në burgun në veri.

Hysni Ngucati, përfaqësues i iorganizatave të dala nga lufta, ka thënë se Sami Lushtaku nuk po i ikën drejtësisë dhe se është në ambientet e QKUK-së, raporton KTV.