Thirrje naziste greke kundër shqiptarëve

Një video e cilësuar si “dokumenti i tmerrit” dhe që tregon një aspekt nga veprimtaria e partisë neonaziste Agimi i Artë është publikuar orët e fundit nga të gjitha mediat greke.

Lajme

25/02/2014 13:49

Mediat greke janë pushtuar nga një video me thirrje anti-shqiptare nga simpatizues të partisë së ekstremit të djathtë grek “Agimi i Artë”.

Videoja, që është xhiruar me kamera amatore në një miting të celulave të kesaj partie, në lagjen Nikea të Athinës disa muaj më parë, është një prej materialeve që përmban dosja hetimore që ka çuar drejtësia greke në Parlament, me kërkesën për heqjen e imunitetit të 9 deputetëve të tjerë të kësaj force politike, raporton Top Channel.

Videoja fillon me britmat “Grek lind dhe nuk bëhesh kurrë”, “Gjakun tënd do derdhim, o derr shqiptar” dhe vazhdon me britma e klithma urrejtjeje kryesisht për shqiptarët.

“I shihni ju ata? I quajnë shqiptarë. Rrobat tona do qepim me lekurën e tyre”, thotë një prej drejtuesve të aktivistëve.

Është pikërisht kjo video e cila konsiderohet nga hetuesit grekë si një nga dokumentat më të fuqishme të provës për veprimtarinë kriminale të kësaj partie.

Disa orë para publikimit të saj, një deputet i Agimit të Artë ka përshëndetur përsëri në mënyrën naziste në një miting në Iraklio. Gjithashtu, reagime të shumta ka pasur për kandidaturën e një polici grek me këtë forcë politike në Kretë, për postin e guvernatorit të zonës.

Lideri i Agimit të Artë dhe pesë deputetë të tjerë të tij janë në burg në pritje të gjykimit, të akuzuar për krijim dhe pjesëmarrje në një organizatë kriminale, ndërsa tre deputetë të tjerë janë nën hetim.

Drejtësia greke kërkon nga Parlamenti të hiqet imuniteti i të gjithë deputetëve të partisë neonaziste Agimi i Artë, duke i dhënë asaj grushtin dërrmues para zgjedhjeve lokale dhe ato për Parlamentin Evropian, për të cilat ekstremistët nacionalistë grekë mbajnë shpresa se do të kenë përfaqësuesit e tyre, raporton Top Channel.