The Economist: Dikush nga Ballkani mund të jetë sekretar i ardhshëm i OKB-së

Gazeta ‘The Economist”, shkruan se njëra nga dy kandidatet bullgare mund ta pasojë Ban Ki Moon-in në postin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së. Nëse Bullgaria dështon të ndajë mendjen se cilën ta kandidojë, në radhë janë Vuk Jeremiq, ish ministër i Punëve të Jashtme të Serbisë dhe Miroslav Lajcak, ministër i Punëve të Jashtme të Sllovakisë.

Bota

27/01/2016 14:28

Gazeta prestigjioze “The Economist” paralajmëron pasardhësin e mundshëm të Ban Ki Moonit, në pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së.

Koreano jugorit Ban, i skadon mandati i dytë dhe i fundit në vitin 2017, në krye të OKB-së.

Për më tepër, “The Economist” shkruan se sekretari i ri i organizatës më të madhe botërore, mund të jetë dikush nga Evropa lindore, e ndoshta edhe nga Ballkani, transmeton Lajmi.net.

Gazeta përmend edhe dy kandidatët e mundshëm, sipas së cilës janë dy zonja të forta bullgare.

Pasi jep edhe shpjegimet e mënyrës së zgjedhjes së Sekretarit që, jozyrtarisht, por praktikisht zgjidhet me një lloj rrotacioni nga kontinentet dhe rajonet e ndryshme në botë, gazeta shkruan se tashmë radha sikur i takon Ballkanit, transmeton Lajmi.net.

Dy kandidatet bullgare, gazeta i përshkruan si mjaft të forta. Për Irina Bokova, gazeta shkruan se aktualisht drejton UNESCO-n, organizatë që merret me mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe edukimin, e që vepron në kuadër të Kombeve të Bashkuara.

Ndërkohë, kandidatja tjetër është Kristalina Georgieva, e cila aktualisht është zëvendëspresidente e Komisionit Evropian, e ngarkuar me buxhetin, raporton Lajmi.net.

Meqë kandidati për këtë post duhet të nominohet nga shteti, “The Economist’ shkruan se në Sofie, kryeqytetin bullgar, kryeministri i vendit,  Boyko Borisov, është nën presion të madh për të vendosur se cilën nga këto dy zonja do ta nominojë kandidate për sekretare të Përgjithshme të OKB-së.

Gazeta gjithashtu nënvizon se nëse dy zonjat bullgare dështojnë, atëherë shanset mund t’i kenë Vuk Jeremiq, ish ministër i Punëve të Jashtme të Serbisë, i cili përshkruhet si diplomat që nuk pëlqehet nga vendet perëndimore, por që i njëjti ka gjetur aleatë në vendet latine.

Kandidati tjetër mund të jetë Miroslav Lajicak, aktualisht ministër i Punëve të Jashtme të Sllovakisë.

OKB është organizata më e madhe ndërkombëtare në botë me 192 shtet anëtare dhe e cila është krijuar pas luftës së dytë botërore në vitin 1945. /Lajmi.net