Thaçi: Takimi në Shtëpinë e Bardhë shënon rikthimin e fuqishëm të SHBA-ve në dialog

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka mbajtur një konferencë për media, pas refuzimit që kryetarja e Kuvendit ia kishte bërë atij për të raportuar për vizitën e tij në SHBA.

Lajme

04/03/2020 16:25

Ai ka theksuar se takime ka pas edhe në Kongresin Amerikan, ku është pritur nga miku i Kosovës, miku i të gjithë shqiptarëve, miku im Eliot Engel, Kryesues i Komisionit për Politikë të Jashtme.

“Kryesuesin Engel e falënderova për përkrahjen e vazhdueshme dhe u pajtuam se ka një rikthim të vëmendjes së Washingtonit në çështjen e Kosovës dhe se duhet të shfrytëzojmë këtë mundësi për të arritiur marrëveshjen përfundimtare për paqe në mes të Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë ai.

Lexo edhe: 

Presidenti Thaçi: SHBA-ja rol të pazëvendësueshëm në procesin e dialogut Kosovë-Serbi

Thaçi ka raportuar edhe për takimin ndoshta më të rëndësishëm të kësaj vizite, atë me Robert O’Brien, Këshilltar për Siguri Kombëtare i Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Sipas tij, edhe në këtë takim theksi ishte tek gjasat për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare paqësore dhe roli qenësor i Uashingtonit në këtë proces.

“Me ftesë të Ambasadorit Riçard Grenell, i Ngarkuari Special i Presidentit Trump për dialogun në mes të Kosovës dhe të Serbisë, dhe në prezencë të Robert O’Brien, Këshilltari për Siguri Kombëtare i Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, jam takuar me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq”, ka shtuar ai.

Thaçi ka folur për për rëndësinë e këtij takimi dhe implikimet e tij. Sipas Thaçit, ky takim është i rëndësishëm për disa arsye.

“E para, takimi shënon rikthim zë fuqishëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në procesin e kërkimit të marrëveshjes së paqes në mes të Kosovës dhe Serbisë. Këtë e kemi kërkuar të gjithë në Kosovë. E kujtoj sa kemi punuar që jo vetëm të shtojmë prezencën amerikane në proces, por që ta bëjmë të mundur që Uashingtoni të marrë rol bosht, në këtë proces’, ka shtuar ai.

E dyta, sipas tij, takimi shënon gatishmëri për të vazhduar procesin pas një stagnimin prej më shumë se një viti.

“E treta, takimi në Uashington është i rëndësishëm sepse e bën më të afërt marrëveshjen, i bën më reale gjasat për një marrëveshje të përhershme”, ka thënë ai. /Lajmi.net/