Thaçi premton ndihma të reja për afaristë dhe fermerë

Bizneset e Istogut janë modele të suksesit në shumë fusha, në pemëtari dhe në industrinë e përpunimit të saj apo edhe në bizneset që ndërlidhen me prodhimtarinë blegtorale. Por, këtë sukses e kanë dëshmuar edhe në bizneset e akuakulturës, përkatësisht prodhimit të peshkut. 

Lajme

25/05/2014 18:43

Kushtet e përshtatshme dhe uji i bollshëm krijojnë mundësi të mira për zhvillimin e këtyre bizneseve të cilat do të gjejnë përkrahje edhe te Fondi i punësimit dhe te Misioni ynë i ri. Kështu premtoi kryetari i PDK-së dhe kryeministër në detyrë, Hashim Thaçi  para afaristëve, fermerëve dhe qytetarëve të komunës së Istogut.

“Viteve të fundit janë zgjeruar hurdhat e peshkut dhe nga kjo veprimtari, e cila e karakterizon komunën e Istogut, brenda vitit prodhohen rreth 600 tonë troftë, që kryesisht tregtohen për konsum të brendshëm. Në vitet e ardhshme ne do të bëjmë edhe peshkëzimin e liqeneve dhe lumenjve tonë dhe do të shumëfishohet dhe eksportohet në masë më të madhe edhe prodhimtaria e peshkut”, tha Thaçi.

Në mandatin e ardhshëm, kreu i PDK-së tha se në fokus të veçantë do të ketë edhe sektorin e pemëtarisë.

“Pemëtarëve dhe fermerëve të 51 fshatrave të Istogut ua kemi dëshmuar shumë herë mbështetjen tonë deri më tash. Nga viti i ardhshëm këtë përkrahje do ta rrisim edhe më shumë. Nga 300 euro për një hektar do t’i marrin si subvencione të gjithë pemëtarët dhe perimtarët. Por, me Fondin e punësimit dhe Misionin e ri, një përkrahje të njëjtë do t’ua dëshmojmë edhe bizneseve të tjera të kësaj ane”, tha Thaçi, duke ftuar bizneset e kësaj ane që menjëherë t’i përgatisin planet për investime.

“Ky është programi dhe mundësia juaj më e mirë”, shtoi ai.

Pas Istogut, Thaçi do të vizitojë edhe Klinën dhe Pejën.