Thaçi për krijimin e Speciales: U përcaktuam për të keqen më të vogël, evituam Rusinë dhe Kinën – tani po paguaj çmimin në lëkurën time, por kapërcen edhe kjo vështirësi
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka dhënë një intervistë nga Haga për emisionin “Top Story”, ku ka folur për akuzat ndaj tij, raportin e Dick Marty-t, luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, themelimin e Gjykatës Speciale dhe zhvillimet e fundit politike. Duke folur për akuzat për trafikim organesh, Thaçi i ka cilësuar hetimet e nisura…
Lajme
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka dhënë një intervistë nga Haga për emisionin “Top Story”, ku ka folur për akuzat ndaj tij, raportin e Dick Marty-t, luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, themelimin e Gjykatës Speciale dhe zhvillimet e fundit politike.
Duke folur për akuzat për trafikim organesh, Thaçi i ka cilësuar hetimet e nisura pas raportit të Dick Marty-t si një justifikim për themelimin e Gjykatës Speciale, transmeton lajmi.net.
“Hetimet rreth akuzave të Dick Marty-t për gjoja trafikim organesh nuk çuan as gjëkundi. Ato ishin thjesht një justifikim për themelimin e kësaj gjykate. Për gati gjashtë vite kemi dëgjuar riciklime akuzash, të trajtuara tash e tri dekada nëpër institucione të ndryshme të drejtësisë ndërkombëtare, pastaj edhe në ato vendore dhe ato serbe. UÇK-ja është më e hetuara dhe më e gjykuara nga të gjitha palët ndërluftuese në territorin e ish-Jugosllavisë. Në anën tjetër, ajo ishte më bashkëpunuesja me drejtësinë ndërkombëtare nga të gjithë”, tha Thaçi.
“Diçka nuk përputhet këtu”, shtoi ai.
Ish-presidenti ka folur edhe për luftën në Kosovë, duke e cilësuar UÇK-në si një reagim vetëmbrojtës ndaj represionit dhe masakrave të forcave serbe.
“E vërteta është se shtypja historike dhe masakrat serbe ndaj shqiptarëve e masivizuan UÇK-në si reagim vetëmbrojtës popullor. Kujtojmë masakrat e shkurtit dhe marsit të vitit 1998 në Drenicë. Këtë fakt e konfirmojnë dhe i dhanë jehonë edhe diplomatët botërorë”, u shpreh Thaçi.
“Serbia e nisi luftën. Kosova u mbrojt nga shfarosja. Të njëjtën gjë disa vite më parë e kishin bërë kroatët, boshnjakët dhe sllovenët përballë Serbisë. Siç po bëjnë sot edhe ukrainasit përballë agresorit rus”, tha ai.
Thaçi ka rrëfyer edhe për kthimin e tij në Kosovë gjatë luftës, duke thënë se ishte larguar nga Perëndimi për t’iu bashkuar rezistencës shqiptare.
“U ktheva në Kosovë nga Perëndimi, atëherë kur jo pak njerëz mendonin se Kosova po jepte shpirt. U ktheva për t’iu bashkuar rezistencës shqiptare. Tani po akuzohem sikur kthimi im paska ndikuar për të ndezur hovin dhe masivizuar rezistencën. Çdoherë dhe gjithë aktiviteti im ka qenë transparent, për popullin e Kosovës dhe mekanizmat ndërkombëtarë”, deklaroi ai.
Në intervistë, ish-presidenti ka folur gjatë edhe për mënyrën se si u krijua Gjykata Speciale. Thaçi ka thënë se Kosova në atë kohë ishte “mes dy zjarreve” dhe se institucionet vendosën për atë që e konsideruan “të keqen më të vogël”.
“Kosova ishte midis dy zjarresh: të themelonte gjykatën bashkërisht me partnerët ndërkombëtarë, ose të lejonte formimin e saj nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së”, tha Thaçi.
“U përcaktuam për të keqen më të vogël për Kosovën. Kështu e evituam Rusinë dhe Kinën nga procesi; sikur të ndodhte e kundërta, do të ishte një kthim prapa për Kosovën në kuptimin legal, politik dhe historik”, u shpreh ai.
Thaçi tha se nuk mund dhe nuk dëshiron të flasë për të gjitha rrethanat që çuan në krijimin e Gjykatës Speciale.
“Për rrethanat thelbësore të ardhjes deri te formimi i kësaj gjykate dhe ecuria e më pastajme, si një proces i gjatë dhe intrigues, nuk mund dhe nuk dua të flas”, tha ai.
“ Isha i zotuar nga ana ime të mos i ndodhte asgjë e keqe Kosovës. Tani jam duke paguar çmimin në lëkurën time. Por, kapërcen edhe kjo vështirësi”, shtoi ish-presidenti.
Thaçi ka folur edhe për raportet me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, dhe për Samitin e NATO-s që pritet të mbahet në Tiranë.
“Edi më ka vizituar disa herë. I jam mirënjohës nga zemra. Ai, pikërisht përmes reformave, ka vendosur ta bëjë Shqipërinë evropiane”, tha Thaçi.
Ai e ka vlerësuar lart rrugëtimin e Shqipërisë drejt integrimit evropian, duke bërë krahasime edhe me figurat historike Fan Noli dhe Faik Konica.
“Nganjëherë mendoj, duke parë vështirësitë me të cilat ballafaqohet në rrugëtimin evropian të Shqipërisë, sikur ta jetonin këtë kohë Noli dhe Konica, do ta shpallnin të çmendur, aventurier apo gjeni. Do t’u dukej mision i parealizueshëm”, u shpreh ai.
“Dihet ata (Noli dhe Konica) zhvilluan beteja politike, diplomatike dhe mediale; disa i fituan e shumë i humbën. E disa nuk i ndalen deri në frymën e fundit”, shtoi Thaçi.
Duke folur për Ramën, ai tha se kryeministri shqiptar po tregon qëndrueshmëri përballë sfidave politike.
“Të gjorët u munduan për perëndimizimin e Shqipërisë dhe shqiptareve, por, nga mbetjet me feude lokale u intriguan, u baltosën, u zhgënjyen, u kërcënuan, u dorëzuan, ikën dhe nuk u kthyen më”, tha Thaçi.
“Edi po e vlerëson besimin qytetar dhe bashkëpunimin me ndërkombëtarët. Po e dëgjon me vëmendje edhe kritikën. Hallall, nuk po dorëzohet përballë vështirësive. Shqipëria po ecën përpara”, shtoi ai.
Thaçi e ka cilësuar organizimin e Samitit të NATO-s në Tiranë si një moment historik për Shqipërinë.
“Konfirmimi për organizimin e samitit të NATO-s vitin e ardhshëm në Tiranë, krahas anëtarësimit të saj në NATO, është pika kulminante e historisë politike të Shqipërisë. Paraqet besimin e perëndimorëve për progresin euro-atlantik të saj. Ky fakt duhet të bëjë të ndihet mirë çdo shqiptar”, deklaroi Thaçi.
Ai ka kërkuar që në kuadër të samitit të mundësohet edhe një hapësirë për pjesëmarrjen e Kosovës.
“Pas dështimit të Kosovës për prezencë në samitin e Ankarasë, shpresoj që Edi të gjejë ndonjë hapësirë legale për pjesëmarrje e Kosovës në margjinat e samitit në Tiranë. Edi e lehtësoi pjesëmarrjen e Kosovës në Bordin e Paqes. Samiti i NATO-s mund të jetë më i vështirë për përpjekjet e tij. Por, edhe Kosova duhet ta ndihmojë vetveten”, tha ai.
I pyetur nëse e konsideron të gabuar vendimin për themelimin e Gjykatës Speciale, duke pasur parasysh se në vitin 2015 Albin Kurti kishte kundërshtuar krijimin e saj, Thaçi përsëriti se Kosova në atë kohë nuk kishte shumë alternativa.
“Grida, Kosova ishte midis dy zjarresh: të themelonte gjykatën bashkërisht me partnerët ndërkombëtarë, ose të lejonte formimin e saj nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së”, tha ai.
“U përcaktuam për të keqen më të vogël për Kosovën. Kështu e evituam Rusinë dhe Kinën nga procesi; sikur të ndodhte e kundërta, do të ishte një kthim prapa për Kosovën në kuptimin legal, politik dhe historik”, përsëriti Thaçi.
I pyetur nëse pret ndonjë ndërhyrje nga Shtetet e Bashkuara apo presidenti amerikan Donald Trump pas deklaratave të Edi Ramës në Bordin e Paqes, Thaçi tha se pret një vendim të drejtë nga gjykata.
“Pres një aktgjykim të drejtë, të paanshëm dhe të pandikuar nga askush dhe nga asnjë lloj motivi. Të vërtetën e kanë parë gjyqtarët, realitetin e ka parë edhe bota. Tashmë u mbetet atyre të nxjerrin vendimin; është në duart e tyre”, deklaroi ai.
Në fund, Thaçi është pyetur edhe nëse kishte informacione se Presidenca e Kosovës dhe presidentja Vjosa Osmani ishin kërcënuar për shkak të refuzimit për të lejuar kontrolle nga prokuroria e Hagës. Për këtë pyetje, ai është përgjigjur shkurt: “Nuk kam koment”./lajmi.net/