Thaçi ia thotë në fytyrë Daçiqit: Je në fushatë zgjedhore, prandaj je bërë nacionalistë
(I plotësuar) Në Këshillin e Sigurisë së OKB-së, Thaçi është marr direkt edhe me homologun e tij serb, Ivica Daçiqin.

Lajme
“Unë sot dëgjova disa fjalë mjaft të ashpra nga Daçiq. Unë e kuptoj se ai është në një fushatë zgjedhore dhe mund të ketë nevojë të përdorë një gjuhë nacionaliste, por dialogu me Serbinë ka vazhduar dhe po vazhdon të sigurojë normalizimin e marrëdhënieve në kuadër të procesit të integrimit evropian. Javën e ardhshme ne do të takohemi përsëri në Bruksel dhe unë shpresoj se ne do të biem dakord për të mbyllur pakon e marrëveshjeve të rëndësishme”, tha Thaçi.
Ai tutje tha se familja e Daçiqit dhe serbët tjerë e kanë konolizuar Kosovën në mes të dy Luftërave Botërore dhe se Kosova lejon dyshtetësinë, kështu që sipas Thaçit, Daçiqi është i mirëseardhur ta merr pasaportën e Republikës së Kosovës, meqë është i lindur në Prizren.
Tutje Thaçi duke ju përgjigjur shefit të diplomacisë serbe, tha se është Serbia ajo që ka kryer gjenocid në Kosovë, në Kroaci dhe në Srebrenicë.
“Shteti juaj zoti Daçiq me makinerinë ushtarake dhe policore ka vrarë mijëra shqiptarë, ka vrarë fëmijë, gra e pleq, pra ka bërë gjenocid në Kosovë. Ju dhe shteti serb i keni dëbuar nga shtëpitë e veta mbi 1 milion shqiptar dhe e keni djegur mbi gjysmën e Kosovë”, ka thënë tutje ai.
Sa i përket ruajtjes së objekteve fetare, shefi i diplomacisë kosovare tha se ato në Kosovë ruhen më mirë se në një mijë vjetët e fundit dhe se është pikërisht Serbia e cila gjatë luftës i ka shkatërruar mbi 300 objekte fetare.
“Sa i përket grafiteve që ju i përmendet në Manastirin e Deçanit, unë ju garantojë se ato janë bërë nga shërbimet tuaja, ashtu siç keni bërë edhe më parë. Unë i fitoj anëtarët e Këshillit të Sigurimit që të vijnë në Kosovë dhe vet të shohin se si ruhen këto objekte”, ka thënë tutje Thaçi.
………..
Thaçi: Lufta e Serbisë, fashizëm i pastër
Rezistencën e shqiptarëve dhe luftën e UÇK-së, zëvendëskryeministri Thaçi në KS të OKB-së e ka krahasuar edhe me rezistencën e Davidit që luftonte Goliatin.
“Nuk ka kosovarë, përfshirë këtu edhe veten time, i cili do të qëndrojë duarkryq dhe të lejojë që gjykata jonë speciale të barazojë veprimet gjenocidale të Sllobodan Millosheviqit, ish-Presidentit të Serbisë, me veprimet e dëshpëruara e kriminale të individëve të komunitetit të shtypur, të kryera gjatë ose pas luftës. Lufta e Serbisë kundër Kosovës është bërë me përfshirjen e ushtrisë, policisë dhe njësiteve paraushtarake dhe është mbështetur edhe nga intelektualët serbë. Thjesht dhe qartë kjo luftë e Serbisë ishte një fashizëm i pastër”, tha Thaçi në KS të OKB-së.
“Ne në Kosovë nuk do të lejojmë që historia jonë të rishkruhet për të turbulluar dallimin në mes të shtypësit dhe të shtypurit. Ne do të mbrojmë trashëgiminë e luftës sonë, lirinë e Kosovës dhe pavarësinë tonë”, shtoi ai.
Pëlqimi për krijimin e Gjykatës Speciale, sipas Thaçit, është dhënë për krijimin e një instrumenti që është shumë më i besueshëm se çdo gjykim tjetër i mbajtur në gjykatat e të gjitha vendeve të Ballkanit.