Thaçi ka ftesë por nuk shkon në Lutjet e Mëngjesit

Zëvendëskryeministri i Republikës, njëherësh ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi nuk do të marrë pjesë në "Lutjet e Mëngjesit" që mbahen në Washington të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, këtë të enjte.

Lajme

02/02/2016 13:24

Në këtë event, ku do të marrin pjesë mbi tre mijë mysafirë nga e gjitha bota, do të jenë edhe disa deputetë të Kuvendit të Kosovës nga partitë e koalicionit.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi ka treguar për “Zeri.info” se ai dhe Thaçi kanë marrë ftesë për t’iu bashkuar këtij eventi por për disa arsye nuk mund të marrin pjesë aty.

Ai mospjesëmarrjen e ka arsyetuar me mbajtjen e konferencë së sotme “Germia Hill” që do të mbahet në Prishtinë, e ku pritet të marrin pjesë zyrtarë të lartë të shteteve të rajonit e më gjerë.

“Neve na kanë ftuar. Kam qenë unë edhe zv.kryeministri Thaçi. Por, për shkak të konferencës “Gërmia Hill” na u ka pamundësuar të jemi aty.  Poashtu zv.kryeministri ka pasur të aranzhuar takimet në Iowa dhe Washington. Thjesht, nuk janë përputhur agjendat”, ka thënë Selimi.

Ndryshe, deputetët kosovar që do të marrin pjesë në Lutjet e Mëngjesit në SHBA janë; Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, Besim Beqaj, Flora Brovina, Slobodan Petroviq, Enver Hoxhaj si dhe deputetja Teuta Rugova.