Aksion për kontrollin e peshës së bukës në furrat e Kosovës, bizneset rrezikojnë gjoba deri në 10 mijë euro
Agjencia e Metrologjisë së Kosovës (AMK), në bashkëpunim me Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), ka nisur aksionin për kontrollin e peshës së bukës dhe verifikimin e peshoreve që përdoren në furrat e Kosovës. Inspektimet kanë nisur në rajonin e Prishtinës, ndërsa në ditët në vijim do të shtrihen edhe në komunat e tjera…
Lajme
Agjencia e Metrologjisë së Kosovës (AMK), në bashkëpunim me Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), ka nisur aksionin për kontrollin e peshës së bukës dhe verifikimin e peshoreve që përdoren në furrat e Kosovës.
Inspektimet kanë nisur në rajonin e Prishtinës, ndërsa në ditët në vijim do të shtrihen edhe në komunat e tjera të vendit. Aksioni vjen pas ankesave të vazhdueshme të konsumatorëve për mospërputhje mes peshës së deklaruar të bukës dhe peshës reale të produktit, transmeton lajmi.net.
Gjatë kontrolleve, zyrtarët e AMK-së po verifikojnë rregullsinë dhe afatin e vlefshmërisë së peshoreve, ndërsa po kontrollohet edhe nëse operatorët ekonomikë posedojnë pëlqimin për kushtet minimale teknike.
Sipas Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorit, mospërputhja mes masës së deklaruar dhe masës reale të produktit konsiderohet mashtrim ndaj konsumatorit dhe mund të ndëshkohet me gjobë prej 1,000 deri në 10,000 euro.
Ndërkaq, për përdorimin e peshoreve ose mjeteve të tjera matëse të parregullta, subjektet juridike mund të gjobiten me 500 deri në 1,500 euro, bazuar në legjislacionin në fuqi për metrologjinë.
AMK dhe IQMT u kanë bërë thirrje furrtarëve që të verifikojnë me kohë peshoret, të sigurojnë matje të sakta dhe të respektojnë kërkesat ligjore për mbrojtjen e konsumatorëve.
Aksioni do të vazhdojë në të gjithë territorin e Kosovës, me qëllim garantimin e saktësisë së matjeve dhe mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve.
Postimi i plotë: