Thaçi i kthehet Malishevës
Hashim Thaçi, të enjten pasdite, ka qëndruar në Degën e PDK’së në Malishevë, për t’i mobilizuar për zgjedhjet e 3 nëntorit, tashmë kur partia atje i është çarë. Kjo është vizita e tij e parë në Malishevë, prej aferës “Pronto”.

Lajme
Hashim Thaçi ka bërë një vizitë në Malishevë, të enjten, në përpjekje për ta mobilizuar Degën e PDK’së atje për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit.
Kjo është vizita e tij e parë në Malishevë, prej aferës “Pronto”.
Në bisedat e përgjuara të zyrtarëve të lartë të partisë në pushtet, të cilat u publikuan në maj të vitit 2012, Hashim Thaçi i kishte quajtur “zagarë” përkrahësit e Fatmir Limajt në Malishevë dhe kishte refuzuar të shkonte në një tubim partiak atje.
Por, të enjten, ai është rikthyer në Malishevë.
Pas orës 17:00, Lideri i PDK’së ka zhvilluar një takim në ambientet e Degës së PDK’së në Malishevë, për të diskutuar përgatitjet zgjedhore.
Kryetar i Degës së PDK’së në Malishevë dhe Kryetari i Komunës aktualisht, Isni Kilaj, në një bisedë me lajmi.net, e ka quajtur këtë si një “vizitë të rregullt”.
“Ishte vizitë e rregullt e Kryetarit, për ta parë punën e Kryesisë së PDK’së ne prag te fushatës zgjedhore dhe përgatitjet që po i bën Dega jonë për zgjedhjet e 3 nëntorit.”
Sipas Kilajt, Thaçi ka kërkuar nga Dega e PDK’së në Malishevë që të zhvillojnë fushatë të qetë.
“Mesazhi ishte që PDK në Malishevë të bëjë një fushatë të qetë, të ndershme, të konkurrojë me vlera, me program të mirëfilltë, dhe të vazhdojë qeverisja e PDK’së në Komunën e Malishevës edhe më tutje”, ka thënë Kilaj, për lajmi.net
Por, sa ndjehet e rrezikuar kjo Degë e PDK’së në zgjedhjet e 3 nëntorit, pas çarjes dhe krijimit të Iniciativës Qytetare të Malishevës, e cila përkrahet nga Fatmir Limaj?
Isni Kilaj mendon që s’ka rrezik.
“Nuk do të thosha ‘çarje’, por është krijim i një Iniciative Qytetare në Komunën e Malishevës. Kjo nuk do të ndikojë dhe nuk do ta humbë elektoratin e PDK’së.”
“Nuk na rrezikon, absolutisht.”
“Mendoj se pikërisht kjo që ka ndodhur e ka mobilizuar edhe më tepër elektoratin e PDK’së në Malishevë. E ndjejmë vetën jashtëzakonisht të fuqishëm në këto zgjedhje.”
Kryetari i Iniciativës Qytetare në Malishevë dhe Kandidati i saj për Kryetar të Komunës, Ragip Begaj, thotë se nuk është i informuar për këtë vizitë të Hashim Thaçit në Malishevë.
Por, ai ka një porosi.
“Ka qenë dashtë një kërkimfalje ndaj malishevasve për fyerjen që ua ka bërë, kur i ka quajtur ‘zagarë’”, thotë Begaj, për lajmi.net
Ai deklaron se aktivitetin e tij e zhvillon në nivel lokal dhe përmend se fushatat po zhvillohen prej zyrtarëve të lartë, ndonëse fushata zgjedhore ende nuk ka filluar.
Ragip Begaj thotë se PDK është ndarë dhe shprehet se Iniciativa Qytetare e Malishevës ka hyrë në këtë garë zgjedhore për të fituar.
“Sigurisht, është ndarë”.
“Ne kemi hyre për të dalë fitues. Presioni i pushtetit që bëhet ndaj punëtoreve këtu, të arsimit, e të tjerë, është i hatashëm. Përndryshe, 11 nëndegë të PDK’së kanë kaluar në Iniciativën Qytetare. Është qytetari ai që vendos”.