Thaçi: 200 mijë vende të reja të punës

Duke shpalosur programin e tij ekonomik “Misioni i Ri”, kreu i PDK-sç, Hashim Thaçi ka premtuar se në mandatin e tij të ardhshëm do të hapë 200 mijë vende të reja të punës, do të investohet në bujqësi dhe do të ulet kostoja e arsimit të lartë.

Lajme

13/05/2014 21:41

Kryetari i PDK-së Hashim Thaçi, e ka shpalosur planin e tij ekonomik për qeverisjen e ardhshme 4-vjeçare, për çka ka thënë se synim i tij kryesor është krijimi i një Fondit të Punësimit prej 1.5 miliard eurosh, punësimi i 200 mijë njerëzve, dyfishi i prodhimit vendor, si dhe reformimi i arsimit.

Para të pranishmëve, të cilët kryesisht ishin nga fusha e ekonomisë, Thaçi ka thënë se misioni i ri për Kosovën është zhvillimi ekonomik, andaj i ka ftuar të gjithë të pranishmit ta votojnë atë edhe për një mandat në krye të qeverisë.

“Vijmë në një përfundim, nëse ne duam ta vëmë në lëvizje potencialin e vendit tonë, duhet të investojmë në njerëzit tanë. Së këndejmi, boshti i planit tim ekonomik është krijimi i fondit të ri të punësimit, investim prej 1.5 miliard euroash në Kosovë”.

“Ky është investim ambicioz për një popull dhe një shtet ambicioz, për njerëz me ide kreative, për njerëz punëtorë, për njerëz që udhëheqin. Po e përsëris, momenti juaj është sot. Nëse keni një ide dhe dëshironi ta bëni atë realitet, fondi i ri i punësimit është në dispozicionin tuaj. Nëse e keni një biznes të ri dhe dëshironi ta zgjeroni, të rrisni numrin e të punësuarve, fondi i ri i punësimit do të jetë aty për ju që t’i jetësojë synimet dhe planet tuaja”, ka thënë Thaçi.

I pari i PDK-së ka shtuar se në mandatin e ardhshëm do të investojë në bujqësi, në uljen e kostos së arsimit dhe shumë fusha të tjera.

Ai ka përsëritur edhe njëherë se mandati i parë qeverisës ishte për krijimin e shtetit, i dyti për konsolidimin e tij, ndërsa mandatin e tretë ai e kërkon në mënyrë që ta zhvillojë Kosovën.

Ndërkaq, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj ka thënë se Fondi për Punësim do të ndahet në bazë të disa kritereve.

“Ne i kemi katër hapa tek fondi. Një është burimet që tani më janë identifikuar, faza e dytë është përcaktimi i bazë ligjore. Ministria e Financave e ka krijuar grupin punues ndërministror, i cili është duke i realizuar të gjitha ligjet që janë të nevojshme për tu ndërruar, për ta mundësuar një fond të tillë. Hapi i tretë është përcaktimi i kritereve për fondet që do t’u jepen ndërmarrjeve që kanë programe të mira, punësim, krijim të një ambienti të mirë për biznes dhe investime, dhe, hapi i katërt do të jetë forma apo struktura menaxhuese”.