​Tetë raste të dhunës në familje në 24 orët e fundit, arrestime – Armë të konfiskuara dhe tre fëmijë në strehimore

Tetë raste të dhunës në familje janë raportuar në Kosovë gjatë 24 orëve të fundit, ku disa nga viktimat kanë pësuar dhunë fizike e psikologjike, ndërsa disa të dyshuar janë dërguar në mbajtje. Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës, rastet kanë ndodhur në Prishtinë, Podujevë, Gjakovë dhe Malishevë, ndërsa në njërin prej tyre…

Lajme

15/11/2026 08:47

Tetë raste të dhunës në familje janë raportuar në Kosovë gjatë 24 orëve të fundit, ku disa nga viktimat kanë pësuar dhunë fizike e psikologjike, ndërsa disa të dyshuar janë dërguar në mbajtje.

Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës, rastet kanë ndodhur në Prishtinë, Podujevë, Gjakovë dhe Malishevë, ndërsa në njërin prej tyre tre fëmijë të mitur janë lënë në rrugë pa përkujdesje nga babai i tyre.

Në Prishtinë, dje, një grua ka raportuar se është sulmuar fizikisht nga ish-bashkëshorti i saj, i cili dyshohet se ka lënë në rrugë edhe tre fëmijët e tyre të mitur. Gruaja së bashku me fëmijët janë dërguar në strehimore, ndërsa i dyshuari është në kërkim nga policia.

“Prishtinë / 14.11.2026 – 20:40. Dyshohet se ish bashkëshorti i ankueses f/k, i dyshuari m/k e ka sulmuar fizikisht atë, si dhe i kishte lënë në rrugë pa përkujdesje tre fëmijët e tyre të mitur. Ajo së bashku me fëmijët janë dërguar në strehimore, ndërsa i dyshuari është në kërkim të policisë. Në konsultim me prokurorin është incuar rasti”, thuhet në raport.

Një tjetër rast është regjistruar në Podujevë, ku një burrë është arrestuar nën dyshimin se ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij.

Viktima ka marrë trajtim mjekësor, ndërsa gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit, policia ka gjetur dhe konfiskuar një pistoletë me karikator, 4 fishekë dhe një thikë. I dyshuari është dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.

Në Prishtinë është arrestuar edhe një person tjetër, i dyshuar për ushtrim të dhunës psikologjike ndaj prindit të tij. Pas intervistimit, ai është liruar në procedurë të rregullt.

Ndërkohë, katër raste janë raportuar në Gjakovë.

Në njërin rast, një grua ka raportuar më 14 nëntor se në vazhdimësi ka qenë viktimë e dhunës fizike dhe psikologjike nga djali i saj. Ajo ka refuzuar strehimin, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.

Në një rast tjetër, një burrë është arrestuar për dhunë psikologjike ndaj bashkëshortes, por pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.

Po në Gjakovë, një burrë ka raportuar se është kanosur përmes telefonit nga gruaja me të cilën bashkëjeton. E dyshuara është arrestuar dhe më pas është liruar, ndërsa viktimës i është lëshuar urdhër mbrojtës emergjent.

Në rastin e katërt, një burrë është arrestuar nën dyshimin se ka ushtruar dhunë fizike ndaj një gruaje. Viktima ka marrë trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Një rast tjetër është regjistruar në Malishevë, ku një grua ka raportuar se bashkëshorti i saj e ka fyer dhe kanosur, duke ushtruar dhunë psikologjike ndaj saj. I dyshuari është arrestuar dhe, pas intervistimit, është dërguar në mbajtje me urdhër të prokurorit.

Sipas të dhënave të policisë, nga tetë rastet e raportuara, shtatë persona janë arrestuar, prej të cilëve katër janë dërguar në mbajtje dhe tre janë liruar në procedurë të rregullt. Një i dyshuar tjetër vazhdon të kërkohet nga policia.

Rastet janë duke u trajtuar nga organet kompetente të drejtësisë.