Terminali pa leje

Deputeti Liburn Aliu nga Vetëvendosje thotë se Kryeministri Hashim Thaçi ka përuruar një objekt pa leje ndërtimi, duke iu referuar përurimit të Terminalit të ri të Aeroportit “Adem Jashari”.

Lajme

24/10/2013 15:28

Lëvizja Vetëvendosje ka akuzuar Kryeministrin Hashim Thaçi se dje ka përuruar terminalin e Aeroportit Adem Jashari, i cili, sipas këtij subjekti, nuk posedon leje ndërtimi.

Deputeti i Vetëvendosjes Liburn Aliu, i cili është anëtar i Komisionit për Bujqësi, Pylltari dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor, tha sot në një konferencë për shtyp se dita e djeshme ishte fytyra e vërtetë e pushtetit qendror për sa i përket funksionimit të shtetit dhe të ligjit.

“Kur themi shtet, nënkuptojmë ligj, nënkuptojmë zbatim të ligjit, procedura dhe respektim të atyre procedurave. Leja për ndërtim nuk është thjesht formale.”

“Kur themi leje për ndërtim, kur themi leje urbanistike, atëherë nënkuptojmë shtetin i cili përpiqet që qytetarëve të tij t’u garantojë siguri.”

“Nëse objekti që u inaugurua dje, nuk ka leje, atëherë kush do ta ketë përgjegjësinë në të ardhmen për atë objekt? E kuptojmë që më vonë ai do të pajiset me leje, sepse është bërë zakon kjo nëpër Kosovë, që të bëhen letrat sa për formalitet”, tha Aliu.

Sipas tij, ky objekt duhet t’u nënshtrohet procedurave të specifikuara me ligj.

“Aeroporti, kur të vije në fuqi ligji për ndërtimet pa leje, do të jetë njëri nga objektet që do duhej t’i nënshtrohej këtij ligji për legalizim. Ata që nuk aplikojnë menjëherë për legalizim, hynë në listën e atyre që nuk legalizohen, kurse ato që kanë aplikuar i nënshtrohen një trajtimi ku disa që i plotësojnë rregullat urbanistike dhe ato të sigurisë legalizohen, kurse shumë të tjera do duhet t’i nënshtroheshin ligjit”, tha deputeti Aliu.

Në këtë konferencë  të Vetëvendosjes u paraqitën edhe disa statistika, ku në to thuhet se vetëm në qytetin e Prishtinës, në vitin 2011 janë ndërtuar mbi 400 ndërtime pa leje.