Tentuan t’i merrnin 100 mijë euro në kriptovaluta Dukës, Gjykata lë në burg dy të arrestuarit
Gjykata e Tiranës caktoi arrest në burg për dy të arrestuarit për tentativën e mashtrimit ndaj presidentit të FSHF-së, Armand Duka. Orest Balla dhe Edison Korra kanë dhënë deklarime të ndryshme ku i pari thotë se janë orientuar nga dikush tjetër për të marrë një porosi por nuk kanë qenë në dijeni sipas tyre se…
Lajme
Gjykata e Tiranës caktoi arrest në burg për dy të arrestuarit për tentativën e mashtrimit ndaj presidentit të FSHF-së, Armand Duka.
Orest Balla dhe Edison Korra kanë dhënë deklarime të ndryshme ku i pari thotë se janë orientuar nga dikush tjetër për të marrë një porosi por nuk kanë qenë në dijeni sipas tyre se për çfarë bëhej fjalë dhe e kanë bërë në mirëbesim
Orest Balla, që dyshohet se ka kontaktuar me Dukën duke u hequr si Taulant Balla ku i kërkon 100 mijë euro në kriptovaluta, ka deklaruar se ishte kontaktuar përmes Instagramit nga një person i panjohur i cili i kishte premtuar 2 mijë euro në këmbim të një komunikimi me një tjetër person.
Balla ka treguar se më pas një person i kishte shkuar me makinë dhe i kishte dhënë një numër telefoni, përmes të cilit ai kishte komunikuar me djalin e Armand Dukës, që në fakt rezultonte të ishte një agjent policie i infiltruar pasi presidenti i FSHF-së kishte bërë menjëherë kallëzim.
Balla ka mohuar gjithashtu se e njihte më parë të arrestuarin tjetër, Edison Korrën. Ndërsa Korra ka pretenduar se ishte kontaktuar pikërisht nga Orest Balla, në një lokal, dhe se ky i fundit i kishte kërkuar të merrte një porosi.
Dyshohet se komunikimi me Armand Dukën përmes aplikacionit “Signal” është kryer nga një person tjetër, i cili ende nuk është identifikuar. Si kreu i kësaj skeme mashtrimi, grupi hetimor ka dyshime se qëndron Florian Gjergji, person i shpallur në kërkim edhe më herët nga policia, për shkak të veprime të ngjashme më herët ndaj personave të tjerë.
Pas kallëzimit të Dukës në polici u organizua puna për identifikimin, gjurmimin dhe vënien në pranga të 24 dhe 23 vjeçarit. Të rinjtë që dyshohet se veprojnë bashkë me persona të tjerë, pranuan që të merrnin në dorëzim edhe paratë cash duke lënë si pikë takimi parkun e autobusave në Elbasan. Në këtë dorëzim të kontrrolluar agjentët civil ndërhynë duke i prangosur.