Tensione në Shkodër, protestuesit tentojnë të rrëmbejnë ambulancën për t’i goditur policinë

19:58 | 20 Qershor 2019

Situatë e tensionuar paraqitet aktualisht në qytetin e Shkodrës ku pritet të nisë takimi elektoral i kryeministrit Edi Rama. Protestuesit e opozitës janë përplasur me forcat e policisë, duke kundërshtuar praninë e Ramës.

Raportohet se policia ka përdorur edhe gazin lotsjellës, për të bërë të mundur shpërndarjen e protestuesve. Për momentin janë duke u hedhur gurë dhe sende të tjera drejt efektivëve.

Mbështetësit e opozitës vijojnë të qëndrojnë pranë sheshit ku do të mbahet mitingu elektoral i Partisë Socialiste. “Rama ik” është thirrja më e shpeshtë që dëgjohet nga protestuesit.

Edhe kryebashkiakja Voltana Ademi ka zbritur në shesh për t’ju bashkuar protestës së opozitës që kundërshton praninë e kryeministrit Edi Rama në Shkodër. Ademi u shpreh pak minuta më parë se shkodranët nuk do të lejojë uzurpimin e qytetit nga një kriminel si Edi Rama. Menjëherë sapo Voltana Ademi është afruar pranë kordonit të policisë, ndaj saj u hodh gaz lotsjellës. PD e konsideroi veprimin e policisë ndaj kryebashkiakes si një akt të paprecedent.

Gjatë përplasjeve, një grup protestuesish kanë tentuar të rrëmbejnë një auto-ambulancë për të çarë kordonin e policisë. Ishte sërish ndërhyrja me gaz lotsjellës që bëri të mundur që kjo përpjekje të mos realizohej.