Tejkalohet PTK

Kryesia e Kuvendit i ka lënë jashtë dy pikat kontestuese për çështjen e PTK`së. Në seancën plenare të radhës do të shqyrtohet ligji për projektbuxhetin e vitit 2014.

Lajme

18/11/2013 15:20

Telenovela PTK nuk pritet të jetë në rend dite as në seancën e radhës të Kuvendit të Kosovës.

Kryesia vendosi sot që Kuvendi ta vazhdojë punën e tij të enjten, me një seancë të re ku do të shqyrtohet ligji për Projektbuxhetin e vitit 2014, ndërsa janë lënë jashtë dy pikat kontestuese – ajo për privatizimin e PTK`së dhe formimin e Komisionit Hetimor.

Kryekuvendari Jakup Krasniqi ka bërë të ditur se këtë dy pika do të jenë jashtë rendit të ditës.

“Seanca e re do të jetë pa pikat e mbetura. Pika kryesore do të jetë shqyrtimi parë i projektligjit për buxhetin e vitit 2014”.

Kryetari i Grupit Parlamentar nga radhët e PDK`së, Adem Grabovci, është shprehur i bindur se ky proces do të marrë dritën jeshile nga Kuvendi.

“Deri më tani nuk kemi hyrë asnjëherë në garë për të dështuar dhe kësaj radhe nuk do të dështoj. Ky nuk është dështim që varet nga ne, por është interes nacional i vendit dhe i ekonomisë. Jemi shumë të sigurt që ky proces nuk do të dështojë, sepse është në interes nacional i vendit dhe i popullit tonë”.

“Ajo çka është më e rëndësishme se ana ekonomike apo financiare, është mesazhi që çojmë para investitorëve seriozë ndërkombëtarë për të cilët ekonomia e vendit ka nevojë shumë të madhe, nëse duam vërtet të kemi trendë shumë të fuqishëm të zhvillimit”.

Qëndrim krejt ndryshe ka kryetari i GP nga LDK, Ismet Beqiri. Ai nuk ka lëvizur nga pozicioni i tij sa i përket çështjes së Postës.

“Në kryesi ishte edhe çështja e dy pikave të mbetura. Normalisht ne e thamë qëndrimin tonë si LDK, që as në seancën e ardhës, as në atë që vjen, nuk do të pranojmë të jemi pjesë e seancës ku do të votohet ose diskutohet raporti i Komisionit ndërqeveritar për shitjen e 75 për qind të aksioneve të PTK`së”.

“Nuk ka marrëveshje për këtë çështje, nuk mund të bëjmë marrëveshje për diçka që e dërgon Kuvendin në një vendim të paligjshëm”.

Visar Ymeri nga Lëvizja Vetëvendosje tha se pika për themelimin e komisionit hetimor është shtyrë përsëri për shkak të kërcënimit të pozitës.

“Përzgjatja apo shtyrja dhe eliminimi i Komisionit Hetimor nga nënshkrimet e 40 deputetëve, paraqet një precedent jashtëzakonisht të rrezikshëm për Kuvendin”.

“Është hera e parë në historinë e këtij Kuvendi – dhe përgjithësisht në botë – që deputetëve të opozitës të cilëve u garantohet me ligj dhe Kushtetutë e drejta për të themeluar komision hetimor për një çështje të caktuar, pra për ta mbikëqyrur punën e Qeverisë në këtë rast – kjo i pamundësohet nga bojkoti i pozitës”.