Të shtëna me armë në një bar në Teksas, 3 të vdekur dhe 14 të plagosur
Të paktën tre persona kanë mbetur të vrarë dhe 14 të tjerë u plagosën këtë të dielë, pas të shtënave me armë në një bar në qytetin Austin, në Teksas. Duke folur në një konferencë për shtyp në orët e para të mëngjesit, Shefja e Policisë së qytetit, Lisa Davis, tha se policia mori raportime…
Bota
Të paktën tre persona kanë mbetur të vrarë dhe 14 të tjerë u plagosën këtë të dielë, pas të shtënave me armë në një bar në qytetin Austin, në Teksas.
Duke folur në një konferencë për shtyp në orët e para të mëngjesit, Shefja e Policisë së qytetit, Lisa Davis, tha se policia mori raportime për një “burrë që po qëllonte në Buford’s Backyard Beer Garden,” një bar i njohur në zonën e argëtimit të qytetit.
Kur policia mbërriti në vendngjarje, Davis tha se ata u përballën me një burrë të armatosur dhe “hapën zjarr, duke vrarë të dyshuarin.”
Motivi i këtij incidenti nuk dihet ende.
Shefi i Shërbimeve të Urgjencës të Austin (EMS), Robert Luckritz, tha se tre persona u gjetën të vdekur në vendngjarje. 14 të plagosur të tjerë u dërguan në spitalet lokale. Nga të plagosurit, Luckritz tha se tre ishin në gjendje kritike.
“Ne morëm një telefonatë në orën 1:39 të mëngjesit (sipas orës lokale) dhe brenda 57 sekondash, mjekët e ndihmës së shpejtë dhe oficerët e parë ishin në vend duke trajtuar pacientët,” shtoi Luckritz.
Policia tha se ka një prani të madhe të forcave të saj në lagjen e festave dhe arriti të dërgojë shpejt oficerë në vendngjarje ndërsa baret në zonë po mbylleshin.
Kryetari i Bashkisë së Austin, Kirk Watson, vlerësoi reagimin e shpejtë, duke thënë: “Jam shumë mirënjohës për shpejtësinë me të cilën zyrtarët tanë të sigurisë publike reaguan ndaj kësaj. Nuk mendoj se ka dyshim që kjo shpëtoi jetë.” /Tv Klan