Të rinjtë e Durrësit, nismë për t’i dhënë fund ujërave të zeza në det
Derdhja e ujrave të zeza në det përgjatë shëtitores bregdetare të Durrësit mbetet një problem ende i pazgjidhur.
Lajme
Edhe pse pushteti vendor e mohon këtë realitet, ai është e pranishëm dhe vazhdon të shqetësojë banorët, por dhe frekuentuesit e shumtë të shëtitores, përfshirë dhe turistët e huaj.
Gjithnjë e më shumë, qytetarët durrsakë po ndërgjegjësohen dhe reagojnë mbi çështje të mprehta mjedisore që cenojnë shëndetin dhe jetën e të gjithëve, përfshirë dhe pasojat negative në zhvillimin social e turistik të bregdetit të Adriatikut.
Zona përgjatë shëtitores bregdetare “Taulantia”, ashtu si dhe zonat përreth saj, janë pjesë e rrjetit të vjetër të kanalizimeve të qytetit dhe shumë subjekte kanë ndërhyrë ndër vite në kolektorin e ujrave të larta, duke bërë që ujrat e përdorura e të papërpunuara të përfundojnë në det, transmeton Top Channel.
Derdhja e tyre shkakton ndryshim të dukshëm të parametrave fiziko-kimike të ujit, ndotje të tij në një nga zonat më të frekuentuara të qytetit, që vazhdon drejt veriut me plazhin e Currilave, tepër të pëlqyer nga durrsakët.