​Të prangosur- Aksioni për falsifikimin e votave në Prizren, disa të arrestuar largohen nga stacioni policor

Policia dhe Prokuroria Themelore e mobilizuar në Prizren, vazhdon intervistimi i të arrestuarve në Stacionin Policor. Ndërkohë, duke nis nga ora 15:00, kryeprokurori Petrit Kryeziu së bashku me Policinë e Kosovës, do të mbajë konferencë për media lidhur me aksionin e Prokurorisë Themelore në Prizren, mbi falsifikimin e rezultateve zgjedhore, gjatë numërimit brenda subjekteve politike…

Lajme

23/01/2026 14:59

Policia dhe Prokuroria Themelore e mobilizuar në Prizren, vazhdon intervistimi i të arrestuarve në Stacionin Policor.

Ndërkohë, duke nis nga ora 15:00, kryeprokurori Petrit Kryeziu së bashku me Policinë e Kosovës, do të mbajë konferencë për media lidhur me aksionin e Prokurorisë Themelore në Prizren, mbi falsifikimin e rezultateve zgjedhore, gjatë numërimit brenda subjekteve politike për deputet të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në regjionin e Komunës së Prizrenit.

Ndryshe kryeprokurori i Prizrenit, Petrit Kryeziu, kishte autorizuar me shkrim Policinë e Kosovës që, me vetiniciativë, të identifikojë personat përgjegjës dhe të sigurojë prova relevante, përfshirë procesverbalet dhe nënshkrimet.

Prokuroria Themelore në Prizren kishte  bërë të ditur se ka monitoruar nga jashtë procesin e rinumërimit të votave dhe se, teksa rinumërimi po i afrohet fundit, janë evidentuar keqpërdorime të dukshme gjatë numërimit të votave brenda subjekteve politike në rajonin e Prizrenit.

Sipas Prokurorisë, pas rinumërimit në disa vendvotime janë vërejtur dallime mes fletëvotimeve dhe votave të numëruara për kandidatët brenda subjekteve politike, duke ngritur dyshime serioze për keqpërdorim të votave.

Prokuroria ka theksuar se manipulimi i votës dhe falsifikimi i dokumenteve zgjedhore përbëjnë vepra penale dhe se këto raste do të trajtohen pa asnjë kompromis.