Të lirohet urgjentisht Oliver Ivanovic

Aleksandar Vulin, është shprehur se prokurorët e EULEX’it sa më shpejt që të jetë e mundur duhet të dalin me një aktakuzë në mënyrë që “të dihet cilat janë akuzat dhe në çka duhet të mbrohet” i akuzuari për krime të luftës, Oliver Ivanovic

Lajme

28/01/2014 15:41

Qeveria e Serbisë ka kërkuar që Kryetari i Iniciativës Qytetare SDP, Oliver Ivanovic “të lirohet urgjentisht” dhe atij t’i mundësohet mbrojtja në liri.

Ministri serb pa Portofol, i ngarkuar për Kosovën, Aleksandar Vulin, është shprehur se prokurorët e EULEX’it sa më shpejt që të jetë e mundur duhet të dalin me një aktakuzë në mënyrë që “të dihet cilat janë akuzat dhe në çka duhet të mbrohet” i akuzuari për krime të luftës, Oliver Ivanovic.

“Qeveria e Serbisë kërkon që Oliver Ivanovic të lirohet shpejt, të mbrohet në liri, në mënyrë që t’i mundësohet ta përgatisë si duhet mbrojtjen”, ka thënë Vulin.

Sipas tij, arrestimi i Ivanovicit është “përpjekje për ta destabilizuar pjesën veriore të Kosovës” dhe për ta paraqitur një “balanc të rrejshëm, në bazë të së cilës nëse një shqiptar arrestohet për krime lufte, automatikisht duhet të arrestohet edhe një serb”.

Sipas tij, Qeveria e serbisë nuk do të lejojë që arrestimi të përdoret për “plane të errëta” për imponimin e administratës së përkohshme në Mitrovicën e Veriut.

“Ndoshta kjo është një nga motivet e arrestimit prandaj i lus serbët të jenë të qetë, të dinjitetshëm dhe gjithçka që bëjnë, ta bëjnë bashkë me qeverinë e Serbisë”, ka thënë Vulin.

Ndërsa Zëvendës Kryeministri i Kosovës, Slobodan Petrovic ka thënë se është i tronditur nga arrestimi i Oliver Ivanovicit

“Momenti në të cilin ka ndodhur ky arrestim është shumë i keq. Askujt nuk i duhen tensionet, dhe unë do të kërkoj që të mbahem i informuar në mënyrë që gjatë ditëve të ardhshme të kemi më shumë informata”, ka thënë Petrovic.