Taulant Xhaka në Premierligë

Gazeta prestigjioze ‘The Telegraph’, në hapësirën dedikuar merkatos, e cilëson Taulant Xhakën si një prej yjeve të “Euro 2016″ që klubet e Premier Leagues duhet ta blejnë në merkaton e janarit.

Merkato

20/10/2015 14:25

Taulant Xhaka ishte padyshim një prej protagonistëve të mëdhenj të Shqipërisë drejt fazës finale të Europianit 2016. Mesfushori u shndërrua në një pikë të fortë të ekipit kuqezi, ndërsa me paraqitjet gjatë kualifikueseve është vënë në shënjetrën e klubeve nga ligat më të forta Europiane.

Pas transferimit të munguar te Fiorentina në Serinë A, Xhaka tërhoqi edhe vëmendjen në Angli. Gazeta prestigjioze ‘The Telegraph’, përcjell Lapsi.al, në hapësirën dedikuar merkatos, e cilësonte si një prej yjeve të “Euro 2016″ që klubet e Premier League-s duhet ta blejnë në merkaton e janarit.

Në përshkrimin për 24-vjeçarin e Kombëtares theksohej se përveç rolit natyral si mesfushor qendre, ai mund të luajë edhe në repartin e mbrojtjes.

Xhaka vlerësohet si lojtar i hekurt dhe mjaft luftarak në fushë dhe është një prej elementëve kryesorë të Baselit, klub me të cilin gjatë sezonit të kaluar luajti në Champions League përballë Liverpool-it, duke i mposhtur Reds në Zvicër dhe barazuan në Angli.

Mes lojtarëve të tjerë që këshillohen për tu blerë nga “The Telegraph” janë rusi i Zenit St Petersburg, Artyom Dzyuba, që me tetë gola i mbylli kualifikueset pas Robert Lewandowski dhe Thomas Muller në listën e golashënuesve.

Nga yjet e tjerë të “Euro 2016″ janë sulmuesi 27-vjeçar Kamil Grosicki dhe sulmuesi 21-vjeçar Arkadiusz Milik të Polonisë. Mesfushori ofensiv i Izraelit, Eran Zahavi që gjatë kualifikueseve regjistroi 2 gola dhe pesë asist, mesfushori i Islandës dhe Baselit, Birkir Bjarnason, portieri i Rumanisë dhe Fiorentinës, Ciprian Tatarusanu, gjermani 21-vjeçar Matthias Ginter, që mund të luajë në qendër të mbrojtjes, në krahun e djathtë por edhe si mesfushor qendre apo edhe boshnjaku i Romës, Miralem Pjanic, që ishte një prej katër lojtarëve që krijuan më tepër raste për gol në kualifikueset e Kampionatit Europian.