Takim mes KFOR-it dhe BE-së: Ulutas dhe Schuble diskutojnë situatën e sigurisë

Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Özkan Ulutaş, ka zhvilluar një takim në selinë e misionit të NATO-s në Kosovë me Dirk Schüble, i cili së fundmi ka marrë detyrën e përfaqësuesit special të Bashkimit Evropian për Kosovën dhe njëkohësisht Shefit të Zyrës së BE-së në Kosovë. Në fokus të takimit ishte gjendja e sigurisë në Kosovë,…

Lajme

04/09/2026 18:32

Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Özkan Ulutaş, ka zhvilluar një takim në selinë e misionit të NATO-s në Kosovë me Dirk Schüble, i cili së fundmi ka marrë detyrën e përfaqësuesit special të Bashkimit Evropian për Kosovën dhe njëkohësisht Shefit të Zyrës së BE-së në Kosovë.

Në fokus të takimit ishte gjendja e sigurisë në Kosovë, si dhe forcimi i bashkëpunimit dhe koordinimit ndërmjet institucioneve ndërkombëtare që veprojnë në vend, transmeton lajmi.net.

Sipas njoftimit të KFOR-it, gjeneralmajor Ulutaş ka vlerësuar bashkëpunimin e vazhdueshëm me Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, duke theksuar rëndësinë e koordinimit në çështjet e sigurisë.

“KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes; në çdo kohë, në mënyrë të paanshme dhe në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Sundimit të Ligjit të Bashkimit Evropian në Kosovë (EULEX), në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.

Takimi vjen në kuadër të përpjekjeve për të ruajtur bashkërendimin ndërmjet KFOR-it, institucioneve të Kosovës dhe misioneve ndërkombëtare, me synim ruajtjen e një klime të qetë dhe të sigurt në të gjithë vendin./lajmi.net/