Takim i ngrohtë Erdogan-Vuçiq! Harrohet shprehja e famshme ‘Turqia është Kosovë dhe Kosova është Turqi’
Vizita e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq në Ankara tregon se marrëdhëniet midis Serbisë dhe Turqisë janë gjithnjë e më të mira, por kjo nuk do të thotë se dyja vendet nuk kanë probleme, vetëm se i kanë mënjanuar ato. Kështu kanë deklaruar për ‘Sputnik’ profesori i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Sërdan Perishiq dhe analisti Vojislav Laliq.
Lajme
Laliq beson se Turqia nuk mund të afrohet më pranë Ballkanit nëse anashkalon Serbinë. Ai ka shtuar se marrëdhëniet midis Serbisë dhe Turqisë kanë kaluar nëpër sfida të mëdha.
“E fundit ishte në vitin 2013 – deklarata e famshme e Erdoganit në Prizren kur tha se Turqia është Kosovë dhe Kosova është Turqi. Ankaraja është në përparësi me Bosnjën, Shqipërinë dhe Kosovën mirëpo e ka kuptuar se nuk mund të përparojë në Ballkan duke anashkaluar Serbinë”, është shprehur Laliq, përcjell lajmi.net.
Përshtypja e analistit, është se presidentët në njëfarë mënyre mund të pranojnë në mënyrë të heshtur dhe mos t’i vënë në dyshim çështjet kontestuese, por kjo nuk do të thotë se ato nuk ekzistojnë.
“Kjo padyshim se është çështja e Kosovës e cila nuk po përmendet në takimet e fundit, të paktën gjatë deklarimeve. Nuk duhet të mashtrohemi nga qëndrimi i Turqisë në këtë çështje. Ankaraja për vite ka bërë fushatë me Organizatën e Bashkëpunimit Islamik dhe po përpiqet të gjitha vendeve të Konferencës Islamike t’u kërkojë ta njohin pavarësinë e Kosovës”.
Ndërkohë, Perishiq mendon se që nga viti 2016 pas një grusht shteti të pasuksesshëm, ka ndryshime të dukshme në politikën e jashtme të Turqisë dhe kjo tregon se ndryshimi duhet të realizohet edhe në Ballkan.
“Kjo është arsyeja pse Erdogan praktikisht hoqi dorë nga shprehja Turqia është Kosovë dhe Kosova është Turqi, dhe nuk e përmendi më. Ky ndryshim në politikën e jashtme dhe bashkëpunimin me Rusinë është pozitiv për Serbinë, kjo po reflektohet në bashkëpunimin e mirë me Beogradin”, ka theksuar Perishiq.
Kur është fjala për hyrjen e Turqisë në Bashkimin Evropian, Perishiq ka thënë se Turqia nuk ka vend në BE por as Ballkani Perëndimor.
Theksojmë se sot Vuçiq është takuar me homologun e tij turk, Rexhep Tayip Erdogan me të cilin kanë diskutuar për bashkëpunim ekonomik Serbi-Turqi.
“Kjo mirëseardhje më bën të tregojë respektin më të madh të mundshëm për ju personalisht, vendin dhe popullin tuaj”, ka deklaruar Vuçiq, duke shtuar se Turqia mund të llogarisë në miqësinë e përhershme me Serbinë./Lajmi.net/