Tahiri: “Tribunali” duhet të votohet nga deputetët

Analisti politik, Ramush Tahiri, i cili njëherësh është edhe këshilltar i presidentes, Atifete Jahjaga, ka thënë se themelimi i Gjykatës Speciale për krimet e luftës në Kosovë duhet të miratohet nga Kuvendi i Kosovës.

Lajme

08/04/2014 07:41

Në një intervistë dhënë për “Tribuna”, Tahiri ka thënë se kjo Gjykatë do të funksionojë me ligjet e Kosovës dhe është më mirë që ta miratojë Kuvendi sesa OKB-ja, sepse kjo sipas tij do e kthente Kosovën shumë prapa.

“Të gjithë miqtë tanë ndërkombëtarë sugjerojnë që të themelohet një Gjykatë Speciale që punon sipas ligjeve të Republikës së Kosovës dhe që i hulumton rastet e krimeve të luftës në Kosovë, por që ka një sistem të veçantë të mbrojtjes së dëshmitarëve”.

“Gjithsesi pres që themelimi i një gjykate të tillë të miratohet nga Kuvendi i Kosovës, dhe nuk ka nevoje që në Gjykatë apo një Tribunal për Kosovën të instalohet nëpërmjet një rezolute në Këshillin e Sigurimit të OKB, sepse kjo do t’i kthente proceset prapa pas shpalljes së pavarësisë së vendit dhe pas ardhjes së misionit europian për sundim të ligjit”.

“Për mendimin tim edhe pse Kosova synon të bëhet vend anëtar i OKB-së është më mirë që të mbetemi në kuadër të standardeve të misioneve të BE-së”.

Ramush Tahiri mendon se Kuvendi para se të shpërbëhet ka shumë punë për të bërë. Ai thotë se deputetët e kësaj legjislature para se të shpërbëjnë Kuvendin, duhet të vendosin për mandatin e EULEX-it por dhe për themelimin e Tribunalit.

“Tashmë po shihet se kjo përbërje e Kuvendit nuk duhet të votojë shpërbërjen e vet pan  i përfunduar disa punë, ndër të cilat mandatin e EULEX-it për periudhën e ardhshme, themelimin e Gjykatës Speciale për krimet e luftës në Kosovë, miratimin e ligjit të ri të zgjedhjeve”, ka thënë Ramush Tahiri për “Tribuna”.