Tahiri reagon ndaj retorikës kundër Kosovës në Serbi: Boll më me manipulime dhe mashtrime elektorale
Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri, ka reaguar ndaj retorikës nacionaliste kundër Kosovës nga partitë politike në Serbi, në kuadër të fushatës për zgjedhjet e 25 tetorit. Tahiri e ka cilësuar këtë gjuhë politike si antidemokratike dhe në kundërshtim me vlerat evropiane, duke thënë se përmendja e Kosovës në fushata zgjedhore po përdoret…
Lajme
Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri, ka reaguar ndaj retorikës nacionaliste kundër Kosovës nga partitë politike në Serbi, në kuadër të fushatës për zgjedhjet e 25 tetorit.
Tahiri e ka cilësuar këtë gjuhë politike si antidemokratike dhe në kundërshtim me vlerat evropiane, duke thënë se përmendja e Kosovës në fushata zgjedhore po përdoret për manipulimin e elektoratit serb.
Përmes një postimi, ai ka theksuar se kjo retorikë vjen si nga partitë në pushtet, ashtu edhe nga ato në opozitë.
“Retorika politike dhe elektorale në Serbi, si nga partitë në pushtet, e edhe nga ato në opozitë, ndaj Kosovës, jo vetëm që është antidemokratike dhe në kundërshtim të plotë me vlerat dhe synimet evropiane që ky shtet pretendon t’i ketë, por është edhe një gënjeshtër dhe një mashtrim i hapur ndaj elektoratit në Serbi”, ka shkruar Tahiri.
Ai ka rikujtuar se Kosova është çliruar më 12 qershor 1999, ndërsa pavarësinë e ka shpallur më 17 shkurt 2008. Tahiri ka përmendur edhe opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të vitit 2010, sipas të cilit shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk e kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare.
Në reagimin e tij, Tahiri ka kërkuar që kjo gjuhë politike të ndalet, duke theksuar se realiteti shtetëror i Kosovës nuk mund të ndryshohet përmes propagandës.
“Prandaj, boll më me manipulime, boll më me mashtrime elektorale dhe me retorikë nacionaliste! E vërteta nuk ndryshon sipas interesave të partive politike dhe as sipas fushatave elektorale. Kosova është e lirë. Kosova është e pavarur. Dhe realiteti i saj shtetëror nuk mund të zhbëhet me propagandë politike”, ka deklaruar Tahiri. /Lajmi.net/