Tahiri: Angazhimi kyç i Qeverisë Veseli do të jetë lufta kundër korrupsionit

21:39 | 22 Gusht 2019

Anëtari i Kryesisë së PDK-së, njëherësh ministër i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka thënë se Kadri Veseli është njeriu i vetëm i cili mund t’i prijë luftës kundër korrupsionit dhe dukurive të tjera negative në Kosovë.

Ai shtoi se angazhimi kyç i Qeverisë Veseli do të jetë pikërisht në këtë drejtim.

Ministri Tahiri tha se Kadri Veseli ka ekipin më të mirë për të udhëhequr vendin, në të gjitha fushat e qeverisjes.

Në debatin që u zhvillua në RTK lidhur me sistemin e drejtësisë, Tahiri tha se lista zgjedhore e PDK-së do të jetë e pastër dhe asnjë njeri që ka problem me ligjin nuk do të zërë vend në këtë listë.

“Jemi të vetmit që e kemi dëshmuar se mund ta luftojmë korrupsionin. Ka njerëz që e kanë keqpërdorur dhe kanë abuzuar me besimin e PDK-së, mirëpo përgjegjësia penale është individuale”, theksoi Tahiri, duke shtuar se këta njerëz në asnjë rrethanë nuk mund të jenë në listën zgjedhore të PDK-së dhe në pozita vendimmarrëse.

Po ashtu, ministri Tahiri ka drejtuar akuza edhe për qeverisjen e Isa Mustafës.

Ai tha se lajmi më i mirë për sistemin gjyqësor ka qenë rënia e qeverisë Mustafa dhe largimi i Avdulllah Hotit nga menaxhimi i financave të shtetit.

Sipas Tahirit, ajo ka qenë një periudhë e bllokimit të rekurtimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve të rinj.