Syla qan në transmetim LIVE: Qeveria e shkarkoi vëllain tim një ditë para grevës, ishte pjesëtar i UÇK-së

Kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla ka treguar se një ditë para grevës së organizuar nga kjo Federatë, nga qeveria kanë marrë vendim t’ia shkarkojnë vëllain nga pozita e kryeinspektorit, respektivisht Lulzim Sylën.

Lajme

26/11/2021 18:24

Syla është emocionuar derisa ka rrëfyer për vëllezërit e tij, njëri prej të cilëve është dëshmorë, e tjetri ka qenë pjesë e UÇK’së.

“Vëllai im është shkarkuar. Vëllai im ka qenë kryeinspektor, ai e ka pas mandatin e vazhduar në shkurt, para se me ardh qeveria. 7 muaj e ka ushtruar këtë detyrë, pak ka tingëllu si shantazhuese dhe kërcënuese sepse kanë pritur 7 muaj, që një ditë para grevës ta shkarkojnë. Mbrëmë në mbledhjen e qeverisë është shkarkuar”, ka thënë ai në Frontal.

“Ne kemi qenë tre vllezër, dy kemi studiuar jashtë, babën tim e kanë qit prej punës serbët në vitet e 90’ta dhe atëherë me mund e me gjak me nënën rrobaqepëse na ka shkolluar të treve. Një është dëshmor. Luli që e kanë shkarkuar është luftëtarë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kjo është e rëndë për një familje, aq më pak për një ish-luftëtar, inxhinier i treguar e i suksesshmë”, ka shtuar ai.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e fundit ka shkarkuar Lulzim Sylën si Kryeinspektor i Tregut ani pse gjatë këtij viti të njëjtit i’u zgjat mandati për katër vite.

Ky vendim është marrë duke shfuqizuar Vendimin 06/67 të datës 26 shkurt 2021.

Ish-kryesinpektori, në një prononcim për lajmi.net ka thënë se nuk ka marrë asnjë arsyetim nga qeveria për shkarkimin e tij, derisa ka paralajmëruar se do të ndjekë rrugët ligjore.

“Absolutisht nuk e kam marrë asnjë arsyetim, në media u informova, por megjithatë do t’i ndjekë rrugët ligjore sa i përket kësaj çështjeje”, ka deklaruar ai.

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, në krye me Blerim Sylën, kanë protestuar një ditë përpara këtij vendimi për miratimin e Ligjit të Pagave. Ky i fundit nuk është futur në buxhetin e votuar për vitin 2022 përgjatë ditës së djeshme në Kuvend.

Pakënaqësitë e FSSHK-së janë shprehur edhe me anë të grevave, të cilët kanë paralajmëruar edhe “Grevën e Zagrebit”, konkretisht trajtimin vetëm të rasteve emergjente në institucionet publike shëndetësore. /Lajmi.net/