Syla: Pse presidentja Shiroka-Pula ende nuk e ka dekretuar Ligjin për Specialen?

Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK), Gazmend Syla, ka bërë të ditur se organizata do të vazhdojë të kërkojë zgjidhje përmes institucioneve, por pa përjashtuar protestat si formë reagimi ndaj Gjykatës Speciale. Duke komentuar deklaratat e kryetares së Dhomave të Specializuara në Hagë, Ekaterina Trendafilova, në emisionin “Kosova Today” në Klan…

Lajme

20/10/2026 13:28

Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK), Gazmend Syla, ka bërë të ditur se organizata do të vazhdojë të kërkojë zgjidhje përmes institucioneve, por pa përjashtuar protestat si formë reagimi ndaj Gjykatës Speciale.

Duke komentuar deklaratat e kryetares së Dhomave të Specializuara në Hagë, Ekaterina Trendafilova, në emisionin “Kosova Today” në Klan Kosova, Syla i ka cilësuar ato si “qesharake”, duke theksuar se Gjykata Speciale nuk mund të qëndrojë mbi shtetin e Kosovës.

“Ajo ka me na tregu neve, në cilin vend mundet me nejtë një i paraburgosur deri në gjashtë vjet pa marrë vendimin përfundimtar, në cilin vend të botës gardiani mundet me u bo prokuror. Kjo gjykatë nuk mund të jetë mbi shtetin tonë”, ka deklaruar Syla.

Ai ka nënvizuar se rruga institucionale mbetet alternativa e parë e OVL-UÇK-së, megjithatë ka paralajmëruar se organizata është e gatshme të reagojë edhe përmes protestave.

“Ne gjithmonë e zgjedhim rrugën e parë, institucionale, por do t’ia tregojmë vendin edhe në forma tjera zonjës Trendafilova e secilit që provon me na shkelë sakrificën tonë. Ne do të jemi të gatshëm edhe me u ballafaqu me protesta, por sigurisht se i gëzohemi faktit për grupin punues. Protestat do të jenë gjithmonë evidente”, ka thënë ai.

Syla ka ngritur gjithashtu çështjen e miratimit të Ligjit për Specialen, duke shprehur paqartësi lidhur me arsyet pse presidentja e re, Justina Shiroka-Pula, nuk e ka dekretuar ende atë.

Ai ka kritikuar edhe kryeministrin Albin Kurti, duke vënë në pikëpyetje seriozitetin e mbështetjes së shprehur për këtë çështje.

“Zonja Shiroka ka ardhë aty për me dekretu këtë ligj. Pse nuk e ka bërë deri tash, me gjasë frikësohet nga diçka. Ende nuk e kemi parë seriozitetin e zotit Kurtit, edhe pse e kanë dhënë mbështetjen kur i kanë ngritë duart në Parlament”, ka deklaruar Syla./Lajmi.net/