Supremja vërteton aktgjykimin lirues ndaj ish-ministrit Rikalo dhe ish-sekretarit Halimi
Gjykata Supreme e ka refuzuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të ushtruar nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ndaj vendimit të Gjykatës së Apelit, me të cilin Nenad Rikalo, ish-ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) dhe Kapllan Halimi, ish-sekretar në këtë ministri, ishin liruar akuza për korrupsion. Fillimisht, Gjykata Themelore në Prishtinë më 1…

Lajme
Gjykata Supreme e ka refuzuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të ushtruar nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ndaj vendimit të Gjykatës së Apelit, me të cilin Nenad Rikalo, ish-ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) dhe Kapllan Halimi, ish-sekretar në këtë ministri, ishin liruar akuza për korrupsion.
Fillimisht, Gjykata Themelore në Prishtinë më 1 qershor 2023 kishte dënuar me 3 vite burgim ish-ministrin Rikalo dhe me 2 vite e 6 muaj burgim ish-sekretarin Halimi, ndërkaq kishte liruar nga akuza gjashtë zyrtarët: Shefki Zeqirin, Ekrem Gjokën, Shkelzen Morinën, Leon Thaçin, Lindar Krasniqin dhe Albana Zeqirin.
Por, Gjykata e Apelit pasi kishte aprovuar si të bazuara ankesat e mbrojtësve të Rikalos dhe Halimit, kishte ndryshuar aktgjykimin e Themelores dhe i kishte liruar nga akuza këta dy të akuzuar, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Kundër aktgjykimit të Apelit, kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë ka paraqitur Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, shkeljes së Ligjit Penal dhe shkeljeve tjera të dispozitave të procedurës penale, me arsyetimin se shkeljet e tilla kanë ndikuar në ligjshmërinë e vendimit gjyqësor, me propozimin që të aprovohet kjo kërkesë.
Sipas kërkesës, vendimi gjyqësor i formës së prerë është i papërshtatshëm dhe i bazuar në gabime të rënda, ndërsa për t’u mënjanuar këto shkelje, çështja duhet të kthehet në rigjykim në gjykatën e shkallës së dytë.
Përgjigje ndaj kërkesës për mbrojtjen e ligjshmërinë ka paraqitur mbrojtësi i Rikalos, avokati Miodrag Bërkljaq, i cili ka propozuar që ajo kërkesë të hudhet si e palejuar apo në rastin kur Gjykata Supreme vendos që ta shqyrtojë në merita, të refuzohet si e pabazuar për shkak se pretendimet nga kërkesa nuk qëndrojnë.
Andaj, në vendimin e Supremes të marrë më 17 janar 2025, thuhet se pas shqyrtimit të të gjitha shkresave të lëndës dhe pas vlerësimit të pretendimeve nga kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë dhe atyre të paraqitura në përgjigjen në këtë kërkesë, konstatoi se kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë është e pabazuar.
Sipas vendimit, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit në kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë thekson se Apeli ka vepruar në kundërshtim me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale, pasi që në këtë rast kemi disa prova kundërthënëse dhe nëse lexohet aktgjykimi i kësaj gjykate, vërehet që përpos përshkrimit të deklaratave të dëshmitarëve, nuk ka asnjë vlerësim, e aq më pak s’ka vlerësim të veçantë të saktësisë së këtyre provave kundërthënëse, që paraqet një standard më të lartë se pikat tjera të aktgjykimit.
Po ashtu, ZKSH-ja pretendoi se arsyetimi i aktgjykimit të shkallës së dytë është i mangët dhe në të nuk janë paraqitur arsye në lidhje me lirimin nga akuza të të pandehurve Rikalo dhe Halimi. Sipas tyre, gjykata nuk ka bërë përpjekje për sigurimin e provave të reja në mënyrë që të dëshmojë lidhjen objektive në mes të hartimit të programit të veçantë të bujqësisë, shkeljeve të dispozitave ligjore dhe përftimit të kompanive të cilat kanë qenë përfituese të granteve, në njërën anë, me lidhjen subjektive të të pandehurve, që këto veprime i kanë ndërmarrë për të krijuar përfitime të paligjshme për kompanitë e lartcekura.
Gjithashtu, ZKSH pretendoi se Apeli ka dështuar që në mënyrë të qartë të argumentojë se të pandehurit Rikalo dhe Halimi, nuk kanë pasur qëllimin, dashjen dhe dijeninë që tani përfituesve të granteve, me veprimet e tyre të kundërligjshme t’iu mundësojnë fitimin e granteve në kundërshtim me ligjin.
Por, Gjykata Supreme konstatoi se aktgjykimi i gjykatës së shkallës së dytë nuk është i përfshirë me shkelje të dispozitave të procedurës penale dhe as me ndonjë shkelje tjetër të procedurës penale, të cilat do të mund të ndikonin mandej në ligjshmërinë dhe drejtshmërinë e këtij vendimi gjyqësor dhe nuk është shkelur as Ligji Penal në favor të të pandehurve.
Aty thuhet se Apeli në arsyetimin e aktgjykimit ka paraqitur arsye të mjaftueshme dhe të qarta, në lidhje me atë se pse ka vendosur që t’i lirojë nga akuza Rikalon dhe Halimin. Këto arsye, thuhet se gjejnë mbështetje edhe materialin provues.
Andaj, sipas vlerësimeve të Supremes, arsyetimi i Apelit përbën vlerësim të tërësishëm të të gjitha aspekteve të rëndësishme në lidhje me të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me veprën penale dhe përgjegjësinë penale të të pandehurve. Kështu, konstatohet se janë hartuar dhe paraqitur konform KPP-së, duke vlerësuar se pretendimet e ZKSH-së janë të pabazuara.
Supremja thekson se Themelorja nuk ka arritur që në mënyrë të qartë dhe të mjaftueshme, në aktgjykimin e saj të arsyetojë aspektet subjektive, si elemente të figurës së veprës penale për të cilën të pandehurit në fjalë, i kishte shpallur fajtorë edhe pse e ka pasur për detyrë që ta bëjë një gjë të tillë.
“Gjykata e shkallës së parë nuk kishte arritur që të arsyetojë ekzistimin e ndërlidhjes në mes veprimeve kryerëse të pandehurve: N. R. dhe K. H., që kanë të bëjnë me hartimin e programit të veçantë në bujqësi në kundërshtim me ligjet përkatëse dhe qëllimit të tyre që t’ju mundësojnë përfitim të kundërligjshëm kompanive të lartcekura, duke i shkaktuar dëm buxhetit të Republikës së Kosovës në shumë prej 3.356,085.77 euro. Pra, nuk është arritur që të arsyetohet mjaftueshëm, se të pandehurit në fjalë kanë qenë të motivuar dhe kanë pasur për qëllim që me veprimet e tyre, që ndërlidhen me programin e veçantë të bujqësisë t’i kenë ndërmarrë me qëllim që kompanitë e lartcekura të përfitojnë në mënyrë të kundërligjshme”, thuhet në vendim.
Supremja thekson se arsyetimi i Apelit gjen mbështetje në shkresa të lëndës dhe se në rastin konkret nuk është arritur të vërtetohet përtej dyshimit të bazuar mirë se të pandehurit kanë vepruar me dashje.
Po ashtu, shkalla e tretë e konsideron të pabazuar edhe pretendimin e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit lidhur me mbajtjen e shqyrtimit pranë gjykatës së shkallës së dytë.
“Gjykata Supreme e Kosovës e konsideron të pabazuar edhe pretendimin e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit që ndërlidhet me vlerësimin në mënyrë të veçantë të provave kundërthënëse dhe pretendimin në lidhje me zbatimin e nenit 392 të KPP-së që i referohet mbajtjes së shqyrtimit pranë gjykatës së shkallës së dytë, me qëllim që të merren prova të reja, pasi që shqyrtimi pranë kësaj gjykate mbahet vetëm në rastet kur vlerësohet se është e nevojshme që për shkak të vërtetimit të gabueshëm ose jo të plotë të gjendjes faktike, të merren prova të reja ose të përsëriten provat e marra më parë dhe kur ekzistojnë shkaqe të arsyeshme që lënda të mos i kthehet gjykatës themelore në rigjykim”, thuhet në vendim.
Gjithnjë sipas vendimit, mbajtja e shqyrtimit rezulton se nuk është detyrim për gjykatën e shkallës së dytë, por që kjo vlerësohet nga rrethanat specifike të secilit rast veç e veç dhe është nën përgjegjësinë e Apelit që të vendos nëse duhet mbajtur një shqyrtim i tillë, apo vendosja në lidhje me ankesat kundër aktgjykimit të bëhet gjatë seancës së kolegjit.
“Gjykata Supreme e Kosovës konstaton se me aktgjykimin e gjykatës së shkallës së dytë nuk është shkelur as ligji penal në favor të të pandehurve: N. R. dhe K. H., pasi që lidhur me veprën penale ka zbatuar dispozitat ligjore që është dashur të zbatohen. Kjo për faktin se gjykata në fjalë ka paraqitur arsye të mjaftueshme dhe të plotë se në rastin konkret nuk është arritur që të vërtetohet përtej dyshimit të bazuar mirë se në veprimet e të pandehurve: N. R. dhe K. H., ka ekzistuar dashja (dashja e drejtpërdrejtë) dhe qëllimi përkatës…”, thuhet në vendim.
Supremja ka ardhur në përfundim se me vendimin e saj, Apeli i ka përmbushur detyrimet për të paraqitur arsye edhe sa i përket çështjeve tjera.
“Gjykata Supreme e Kosovës, edhe në këtë çështje penale, rithekson se “jo çdo shkelje e detyrës zyrtare mund që të kualifikohet edhe si vepër penale e keqpërdorimit të detyrës zyrtare apo autoritetit, por që krahas kësaj, duhet që të vërtetohet përtej dyshimit të bazuar mirë, edhe ekzistimi i elementeve përkatëse subjektive, ashtu siç parashihet me dispozitat ligjore që e parashikojnë këtë vepër penale”, thuhet në vendim.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë më 1 qershor 2023 kishte dënuar me 3 vite burgim ish-ministrin Rikalo dhe me 2 vite e 6 muaj burgim ish-sekretarin Halimi, ndërkaq kishte liruar nga akuza gjashtë zyrtarët: Shefki Zeqirin, Ekrem Gjokën, Shkelzen Morinën, Leon Thaçin, Lindar Krasniqin dhe Albana Zeqirin.
Kurse, Gjykata e Apelit me aktgjykimin e 25 prillit 2024, i ka liruar nga akuza për korrupsion, ish-ministrin e Bujqësisë, Nenad Rikalo dhe ish-sekretarin e kësaj ministrie Kapllan Halimi
Ndryshe, sipas aktakuzës së përpiluar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 26 dhjetor 2019, të pandehurit Nenad Rikalo, Kapllan Halimi, Shefki Zeqiri dhe Ekrem Gjoka, në bashkëveprim, gjatë vitit 2018, me qëllim që t’iu mundësojnë përfitim në mënyrë të kundërligjshëm kompanive si: konzorciumit “Novus” SH.P.K, për fitimin e grantit “Ndërtimi i tregut modern për prodhime bujqësore” në Prishtinë, konzorciumit “Dhemetra” SH.P.K për fitimin e grantit “Ndërtimi i fabrikës për prodhimin e plehut organit” (duke mos qenë fare në listën e projekteve të cilat mbulohen me financim përmes granteve), koncorziumit “DOO Zubin Potok” për fitimin e grantit “Projekti për ndërtimin e investimeve në objektin për magazinimin dhe ruajtjen e frutave”, si dhe konzorciumit NTP “Arena Engineering” në Pejë, për fitimin e grantit “Prodhimi dhe përpunimi i mishit” në Pejë, me qëllim kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin 04/L-090 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit 03/L-098 për Bujqësi dhe Zhvillim Rural neni 5.1, neni 8, neni 13 paragrafi 1.2, neni 4, neni 14.2 Ligji 03/L098 për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, neni 8 dhe 9, rregullores ( QRK) nr. 37/2013, neni 7.1, paragrafi 1.1, Udhëzuesi dhe Doracaku për hartimin e konceptit të dokumenteve nga Zyra e Kryeministrit.