Supremja: M.P dhe Zh.Z të akuzuar për krime lufte mbesin në paraburgim
Gjykata Supreme e Kosovës ka refuzuar si të pabazuara kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë të paraqitura nga mbrojtja e të pandehurve M.P. dhe Zh.Z., të akuzuar për krime lufte kundër popullatës civile. Në aktgjykim, Kolegji i Gjykatës Supreme ka shqyrtuar ankesat ndaj vendimeve të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe Gjykatës së Apelit, të cilat kishin…
Lajme
Gjykata Supreme e Kosovës ka refuzuar si të pabazuara kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë të paraqitura nga mbrojtja e të pandehurve M.P. dhe Zh.Z., të akuzuar për krime lufte kundër popullatës civile.
Në aktgjykim, Kolegji i Gjykatës Supreme ka shqyrtuar ankesat ndaj vendimeve të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe Gjykatës së Apelit, të cilat kishin lidhje me vazhdimin e paraburgimit ndaj të pandehurve të akuzuar për veprën penale në bashkëkryerje “Krime lufte kundër popullatës civile”, sipas ligjit penal në fuqi në kohën e kryerjes së veprës, aktualisht e inkriminuar si “Krim kundër njerëzimit” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas gjykatës, ekziston dyshim i bazuar se të akuzuarit kanë kryer veprën penale për të cilën ngarkohen, duke përmbushur kështu kushtet ligjore për vazhdimin e masës së paraburgimit.
Gjykata gjithashtu ka vlerësuar se ekziston rrezik i arratisjes nëse të pandehurit do të mbroheshin në liri, duke marrë parasysh peshën e veprës penale, dënimet e mundshme dhe faktin se ata janë shtetas të Serbisë dhe posedojnë dokumente udhëtimi që mundësojnë lëvizjen jashtë vendit.
“Në këto rrethana, masa e paraburgimit konsiderohet e nevojshme për sigurimin e prezencës së tyre dhe zhvillimin e rregullt të procedurës penale”, konsideron gjykata.
Në vendim theksohet se gjykatat më të ulëta kanë dhënë arsye të mjaftueshme ligjore dhe nuk janë konstatuar shkelje esenciale të procedurës penale, ndërsa masat alternative ndaj paraburgimit janë vlerësuar si të pamjaftueshme në këtë rast.