Supa plotë vlera me hithra, karrota dhe patate

Hithra është një bimë premtuese në trajtimin e sëmundjeve të Alzheimer, artritit, astmës, infeksioneve të fshikëzës së urinis, bronikitit, gurëve në veshka, sklerozës, e shumë të tjerave.

Lifestyle

31/03/2021 15:46

Hithra është një barishte e fuqishme në aspekt vlerash ushqyese dhe kuruese për organizmin e njeriut.

Në këtë periudhë të vitit, lëndinat, kopështet e bahçet janë plot e për plot me këtë barishte të cilës i thuren shumë lavde.

Hithra është pjesë e pandashme e disa prej gatimeve më të shijshme të amvisave shqiptare.

Ajo gatuhet në supa por edhe në peta misri ose me miell gruri.

Përbërësit:

Një qepë e prerë hollë

2 thelbinj hudhre të shtypur,

1 patate mesatare e prerë në copa të vogla

1 karrotë mesatare e prerë në copa të vogla

3 filxhanë çaji lëng perimesh

3 filxhanë çaji plot me hithra

Kripë dhe piper.

Përgatitja:

Vendosni tenxheren në zjarr dhe hidhni në të lëngun e perimeve, qepën, hudhrën, copat e patateve dhe karroteve.

Kur të marrë lëngu valë, uleni temperaturën dhe lëreni të ziejë për pesë minuta.

Më pas shtoni hithrat dhe prisni sërish pesë minuta të tjera deri sa patatet të jenë zbutur dhe hithrat të jenë tretur.

Hiqeni tenxheren nga zjarri dhe lëreni të ftohet pak.

Më pas të gjithë përbërësit e supës përziejini në një mikser për mbi 20 sekonda, deri sa të përfitoni një masë homogjene dhe kremoze të cilën duhet ta hidhni sërish në tenxheren fillestare.

Ngroheni pak dhe pasurojeni me kripë dhe piper.

Për ta servirur, hidhni pak vaj ulliri në sipërfaqe dhe arra të pjekura. /Lajmi.net/