Sulmohet fizikisht delegati i ndeshjes Bylis – Laçi
Shefi i sektorit të garave në Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF), Besnik Çela, i cili ishte delegat i ndeshjes Bylis-Laçi në kampionatin shqiptar, në përfundim të lojës është goditur me sende të forta, njofton ‘Panorama’. Mësohet se Çela ka pësuar dëmtime dhe është stacionuar në spitalin e Fierit, ku ka marrë edhe ndihmën e parë…

Sport
Shefi i sektorit të garave në Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF), Besnik Çela, i cili ishte delegat i ndeshjes Bylis-Laçi në kampionatin shqiptar, në përfundim të lojës është goditur me sende të forta, njofton ‘Panorama’.
Mësohet se Çela ka pësuar dëmtime dhe është stacionuar në spitalin e Fierit, ku ka marrë edhe ndihmën e parë mjekësore.
Takimi i zhvilluar në “Adush Muça” ka qenë i tensionuar, pikërisht në fundin e saj ku u deshën minuta të tëra që të gjuhej një penallti e akorduar në favor të Laçit në fund të ndeshjes.
Zotëri Çela, i kontaktuar nga mediat pas mjekimit në spitalin e Fierit, ka thënë se është në gjendje të mirë, pa pasoja serioze për shëndetin e tij.
“Pas mjekimit që mora në spitalin e Fierit, jam më mirë. U godita me shkop gome disa herë në kokë nga presidenti i Bylisit, Besnik Kapllanaj. Pas ndeshjes u gjenda në tunelin e stadiumit, ku po prisja të dilnin edhe gjyqtarët, kur Kapllanaj vjen aty dhe godet këdo që i dilte përpara”, ka thënë shefi i garave në FSHF.
“Mes tyre isha edhe unë, që mora disa goditje në kokë. Do të bëj kallëzim penal në polici për këtë dhunim timin, duke ua lënë në dorë organeve të drejtësisë të vendosin më tej”, shtoi ai.
Ndërkohë, kujtojmë se presidenti i Bylisit, Besnik Kapllani, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes ndaj Vllaznisë ishte dënuar me 8 ndeshje pezullim nga aktiviteti, por ai ka qenë i pranishëm në mjediset e stadiumit, madje ka goditur edhe zyrtarin e lartë të FSHF-së.