Sulmi në Zveçan tentim për minim të integritetit në veri
Sulmi me dy granta dore në objektin e Postës së Kosovës në Zveçan, i cili ndodhi mbrëmë pas mesnatës, nga njohës të sigurisë po konsiderohet si tentim i Serbisë për ta mbajtur gjendjen e tensionuar në veri të vendit. Ata vlerësojnë se këto raste janë sporadike dhe nuk mund të cenojnë integritetin e vendit. Incident…

Lajme
Sulmi me dy granta dore në objektin e Postës së Kosovës në Zveçan, i cili ndodhi mbrëmë pas mesnatës, nga njohës të sigurisë po konsiderohet si tentim i Serbisë për ta mbajtur gjendjen e tensionuar në veri të vendit. Ata vlerësojnë se këto raste janë sporadike dhe nuk mund të cenojnë integritetin e vendit.
Incident i rëndë ndodhi mbrëmë pas mesnatës në Zveçan, ku persona të panjohur kanë hedhur dy granata dore në objektin e Postës së Kosovës.
Hulumtuesi në Institutin “Octopus”, Gurakuç Kuçi konsideron se sulmet terroriste sikur ai i sotmi në Zveçan është tendencë për ta rikthyer gjendjen siç ishte më herët para çlirimit nga grupacionet kriminale.
Ai thotë se nga grupet kriminale vazhdimisht tentohet të prishet rendi dhe qetësia në veri, por siç shprehet Kuçi gjendja e sigurisë vazhdon të mbetet stabile.
“Institucionet e Kosovës janë duke u shtrirë në hapa të sigurt integritetin e Kosovës edhe në veri të vendit, tani kohë pas kohe grupacionet kriminale të cilat janë sulmuar dhe ai vend është çliruara nga ato grupacione të vogla krimianle apo të madhe që janë përfaqësuar nga Radojçiç sigurisht që tani do të bëjnë veprime të cilat dëshirojnë ta minojnë dhe ta rikthejnë kohën prapa duke pas parasysh edhe sulmet ndaj institucioneve të Kosovës Postës së Kosovës por edhe gjërave tjera që kanë bërë në të kaluarën dhe është në kuadër të këtyre. Edhe granata që është gjetur është me përbërje nga ish-Jugosllavia dhe në këtë formë vetëm e vërteton atë qëllimin e sulmeve nga kanë ardhur. Por, kjo absolutisht fare nuk ka ndikimin në procesin e integrimit të veriut të Kosovës brenda shtetit të Kosovës, dhe aq më pak të minoj procesin e sigurisë atje…Vazhdimisht do të ketë grupe të cilat do të tentojnë që ta prishin situatë, por gjendja vazhdon të mbetet e sigurt dhe vazhdon që të mbahen nën kontroll bandat”, thotë ai.
Sulmet e tilla, sipas hulumtuesit të Octopus, janë sporadike dhe nuk kanë paraqesin rrezik për sigurinë vendore.
“Vetë sulmi ndaj Postës tregon se sa i rëndësishëm ka qenë për Serbinë mbyllja e postave serbe në Kosovë. Nuk ka qenë aq e rëndësishme për qytetarët sepse ata do të vazhdojnë të marrin shërbime pothuajse në të njëjtën formë, thuajse edhe më lirshëm sesa në të kaluarën. Këto veprime të Serbisë të cilat fatmirësisht për shtetin e Kosovës po mbahen në nivele jashtëzakonisht të vogla sepse institucionet e sigurisë së Kosovës kanë arritur ta bëjnë një nivel bukur të lartë të sigurisë, kanë tendencë që të minojnë edhe çështje të tjera, të ndikojnë në procesin e dialogut në Kosovë sidomos tani kur është rasti fillimi i negociatave siç pretendoi Sorensen, po ashtu ka për qëllim të provokoj aleancën e re që e ka bërë Kosova me Shqipërinë dhe Kroacinë…Nuk paraqesin, këto janë incidente të izoluara, nuk paraqesin rrezik. E shohim se derisa në të kaluarën iniciativa e bandave serben kanë qenë voluminoze si në rastin e Banjskës po ashtu edhe të Zveçanit, çdoherë e më shumë këto iniciativa po zvogëlohen”, shprehet Kuçi.
Mendim të njëjtë ndan edhe njohësi i sigurisë, Arben Dashevci, i cili thotë se me incidente të tilla po tentohet që veriu i Kosovës të mbahet në tension.
“Ekzistojnë gjithmonë copëza kriminale që mundohen ose vetëm tentojnë tash duke pas parasysh konsolidimin e institucioneve të sigurisë atje që ta mbajnë në tension këtë situatë, sepse ajo situata e brendshme e Kosovës në aspektin e sigurisë është e mirë, e qetë, por gjithmonë është ajo stadi i portokalltë e brishtë me mundësi të tentim tensionimit ose të ndonjë eskalimi eventual të vogël, sepse rrugët e Serbisë ose atyre që ia duan destabilizimin Kosovës janë ngushtuar tej mase. Është një akt kriminal që ka ndodhur edhe më përpara…Shpresoj që shumë shpejt do të vijnë edhe para grilave aty ku e kanë vendin”, theksoi ai.
Dashevci vlerëson se sulmet kriminal si ai ndaj Postës së Kosovës që ndodhi mëngjesin e sotëm janë sporadike dhe të menaxhueshme nga ana e institucioneve të sigurisë në vend.
“Këto raste që po ndodhin në Kosovë unë i shoh si raste sporadike të menaxhueshme sepse për ndonjë sulm frontal në Republikën e Kosovës shanset sipas mendimit tim dhe gjithmonë në aspektin e sigurisë janë të barabarta me zero sepse NATO-në e kemi në Kosovë. Këto raste të izoluara, këto raste kriminale që kanë ndodhur edhe më përpara ka ndodh së fundmi edhe sot mund të ndodhin edhe nesër nuk përjashtohet asgjë në aspektin e sigurisë, por ajo që duhet ta bëjë Kosova që të jetë e parapërgatitur edhe instancat tona të inteligjencës duhet të jenë vigjilencën”, thotë Dashevci.
Sulmin e sotëm me granat dore të objektit të Postës së Kosovës në Zveçan e ka dënuar edhe kryeministri në detyrës i Kosovës, Albin Kurti, i cili e ka cilësuar si sulmin me elemente terroriste.
Kryeministri në detyrë, ka shkruar në Facebook se ky akt dhune është një orvatje për të cenuar sigurinë dhe për të penguar integrimin e qytetarëve në sistemin ligjor dhe institucional të Republikës së Kosovës.
Edhe nga Posta e Kosovës e kanë dënuar ashpër këtë sulm, duke kërkuar nga autoritetet kompetente hetimin e plotë të rastit dhe vënien e përgjegjësve para drejtësisë.
“Ky sulm nuk na zmbrapsë në përkushtimin tonë për të ofruar shërbime cilësore dhe për të zgjeruar prezencën postare në të gjithë vendin. Njoftojmë qytetarët se në këtë qytet vazhdon të jetë funksionale edhe zyra postare Zveçan-1, e cila ndodhet në objektin e Komunës”, thuhej në reagimin e Postës së Kosovës.
E ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se shteti do të vazhdojë të veprojë me vendosmëri për të siguruar që të gjithë qytetarët të jetojnë në një mjedis të sigurt.