Stuhia “Niklas” bën kërdi në Zvicër

Stuhia e njohur me emrin “Niklas” po bën kërdi nëpër Evropën Qendrore. Shteti i Zvicrës është po ashtu viktimë e kësaj stuhie.

Bota

31/03/2015 19:05

Të martën stuhia, e cila është nisur nga Skocia, drejt Detit të Veriut, ndërsa në rrugë e sipër ka shkaktuar shtrëngata të fuqishme edhe në Zvicër, shkruan Albinfo.

Stuhia “Niklas” deri më tani ka shkaktuar disa dëme materiale. Si pasojë e saj, ka pësuar lëndime trupore edhe një grua,  gjithashtu ka pasur pengesa në trafik, ndërsa një shtëpi ka mbetur pa kulm. Era ka rrëzuar një trung që është përplasur mbi veturën e një gruaje 57 vjeçe, duke i shkaktuar lëndime.

Në mëngjesin e hershëm, në majën e malit Crap Masegn, të kantonit Graubünden, është matur shpejtësia e erës prej 165 kilometrash në orë. Edhe në ultësira dhe në qytete janë regjistruar stuhi me shpejtësi të konsiderueshme, ndonëse jo aq të mëdha si në male. Kështu në Steckborn (Bodense) është matur shpejtësia prej rreth 120 kilometrash në orë, ndërsa në Basel ka fryrë era me shpejtësi prej 84 kilometrash në orë.

Sipas shërbimit meteorologjik meteo srf, gjatë gjithë ditës sot do të ketë mot me stuhi. Ndërsa fuqinë më të madhe ajo do ta arrijë gjatë orëve të mesditës dhe pasdites.