Studenti kosovar prodhon djath nga hirra

Studenti mitrovicas, Petrit Idrizi, ka demantuar thënien popullore, të paktën pjesën e dytë të saj se “Tërshëra nuk bëhet bereqet dhe hirra bulmet”.

Lajme

27/12/2019 10:33

Ai ka arritur që të prodhojë djathë nga hirra dhe me këtë edhe e ka mbrojtur temën e diplomës me titull “Vlerësimi i teknologjisë së përftimit të djathit-hirrë”.

“Me një grup studentësh gjatë qëndrimit në Holandë kemi filluar një eksperiment për prodhimin e djathit nga hirra dhe profesorët kanë qenë të mahnitur pas prezantimit të punës sonë”, deklaroi Idrizi duke thënë se kjo ka qenë diçka e re për natyrën e punës kërkimore që është bërë në FTU, mirëpo ka gjetur mbështetje nga mësimdhënësit.

Tutje ai tregon se kjo ka zgjuar kureshtjen edhe në mesin e studentëve, meqë deri me tani në Kosovë nuk është kryer një eksperiment i tillë.

Me anë të një komunikate për media, bëhet e ditur edhe se një fakt i rëndësishëm në aspektin shkencor, është se djathit të prodhuar i janë bërë analizat mikrobiologjike dhe kanë dalur brenda parametrave normale.

“Si i tillë, ky prodhim është i gatshëm për treg”, thotë ai. Nga informacionet që ka kërkuar ai, ky lloj djathi prodhohet dhe shitet në vendet skandinave, kunjë kilogram shitet prej 20-30 eurosh.

Sipas studefntit, djathi që prodhohet nga hirra ka ngjyrë të kuqe, nuk ka kripë dhe preferohet të përdoret në mëngjes. Sa i përket përbërjes, thotë se ka karbohidrate, proteina dhe jod.

“Është i mirë veçanërisht për ata që merren me fitnes, meqë forcon dhe rrit masën muskulore”.

Sa i përket idesë që ky lloj djathi të prodhohet nga industria e qumështit në Kosovë, Idrizi thekson se ende nuk ka ndonjë projekt serioz, meqë duhet një studim i tregut fillimisht. Megjithatë ai tashmë recetën e ka të gatshme dhe pret interesimin e industrisë në mënyrë që edhe në Kosovë të ketë një prodhim të djathit-hirrë, ashtu sikur në vendet e zhvilluara skandinave.